Drejtor i ATK-së Ilir Murtezaj në konferencë për media | Foto: KALLXO.com

ATK inkasoi mbi 423 milionë euro të hyra në 6 muajt e parë të 2023

Administrata Tatimore e Kosovës ka siguruar 423 milionë euro të hyra në 6 muajt e parë të 2023, apo 68 milionë euro më shumë në krahasim me vitin e kaluar.

Këto të dhëna u prezantuan në një konferencë të Drejtorit të ATK-së, Ilir Murtezaj.

“Në gjashtë muajt  e parë të këtij viti ATK ka arritur të inkasojë të hyra mbi 423 milionë euro, që do të thotë ngritje për 68 milionë euro apo 19%. Në vitin 2023, në periudhën gjashtë mujore ATK ka arritur të inkasojë të hyra tatimore për 423.2 milionë euro dhe kontribute nacionale 128.7 milionë euro. ATK ka 44% pjesëmarrje të TVSH-s në të hyra të përgjithshme” – deklaroi ai.

Lufta Ukrainë – Rusi ka ndkuar edhe në Kosovë.

Sipas Murtezajt, periudha e COVID-19 dhe lufta në Ukrainë kanë paraqitur një periudhë të sfidave të mëdha për Administratën Tatimore Të Kosovës.

Sipas tij, në vitin e fundit dhe në gjashtë mujorin e kaluar ATK ka shënuar rritje në përgjithësi në sektorin e tatimpaguesve, por edhe në shërbimet publike për tatimpagues si dhe sektorët me rrezik në mos-përmbushjen e tatimpaguesve.

“Vite më parë nga aspekti i tatimeve, Kosova rangohej brenda mesatares së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa tani duke ju referuar reformave të mëdha të zhvillimit të ATK-së si dhe rritjes së inkasimit të hyrave tatimore, bazuar në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtarë dhe Mekanizmave tjerë ndërkombëtarë, Kosova rangohet si vend lider në Ballkanin Perëndimorë” – tha Murtezaj në mes tjerash.

Drejtori i ATK-së dha detaje edhe për inspektimet që janë bërë nga institucioni që ai drejton.

“Në mbikëqyrje të deklarimit dhe pagesës së tatimeve janë zhvilluar disa aktivitete, ku disa nga inspektimet në terren kanë rezultuar që ATK të ndërmarrë mbi 16,000 inspektime, të cilat kanë rezultuar me gjoba të aplikuara, me ndëshkime të aplikuara dhe me tatime shtesë, të konstatuara afër nëntë milion euro nga këto inspektime si dhe 884 kontrolle të zhvilluara me tatime shtesë mbi 31 milionë euro” – tha ai.