Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

Asociacioni i komunave serbe, presidenti Thaçi kundër kryeministrit Hoti

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se Asociacioni i komunave është kthim prapa për Kosovën dhe agjendë e Serbisë.

“Qoftë për asociacion, qoftë për komuna apo çështje tjera janë që janë diskutuar dy tri herë, për mua është kthim prapa për Kosovën. Është agjendë e Serbisë që procesin e drejton drejtë një degjenerimi të plotë dhe tendencës të dobësimit  të Kosovës”, tha Thaçi në një konferencë për media.

Ai tha se Parlamenti i Kosovës duhet të jetë shumë i vëmendshëm në lidhje me këtë çështje dhe se nuk ka askush të drejtë të ulet të diskutoj, as të negocioj, e le më të pretendoj për të arritur një marrëveshje të re për Asociacionin.

“Ajo ka përfunduar në vitin 2013 dhe me opinionin e Gjykatës Kushteutese. Takimi i të enjtes është i rrezikshëm dhe është agjendë e Serbisë”, tha ai.

Kryeminstri Avdullah Hoti para disa ditësh gjatë një debati në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian kishte thënë se Kosova do ta respektojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Në raundin e fundit të diskutimeve me Serbinë në Bruksel janë hapur dy çështje kryesore: çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe pretendimet financiare në mes të të dyja vendeve. Ne kemi nënshkruar marrëveshje në vitin 2015 për këtë Asociacion dhe ne nuk po mundohemi në asnjë mënyrë që t’i ikim asaj marrëveshjeje, ne do ta respektojmë plotësisht atë, por jemi pajtuar që të punojmë së bashku që të arrijmë një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë, ku përfshihet edhe Asociacioni dhe çështje tjera”, kishte thënë ai.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumice serbe do të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit në vitin 2013. Ndërsa, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit e vitit 2015 nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.