
Arrestohet një person në Gjilan, iu gjeten 3 mijë euro që dyshohen se janë të falsifikuara
Me urdhër të Gjykatës në Gjilan dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore, Policia e Kosovës ka kryer një bastisje sot në Gjilan, në të cilën ka arrestuar një person, pasi që i ka gjetur rreth 3 mijë euro që dyshohen se janë të falsifikuara.
Sipas njoftimit të Policisë, në shtëpinë e të dyshuarit me inicialet I. I., viti i lindjes 1990, janë gjetur dhe sekuestruar në total para në shumën prej 2 mijë e 869 eurove.
“I dyshuari I. I. është shoqëruar në NJRHKEK, në prezencë të avokatit mbrojtës është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe pas përfundimit të intervistës, me aktvendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Aksioni është ndërmarrë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsuonit në Gjilan.