Foto: Policia e Kosovës

Arrestohet një 58-vjeçar në Gjakovë për kanosje dhe armëmbajtje pa leje

Një 58-vjeçar është arrestuar pasi i është gjetur një armë për të cilën nuk kishte leje.

Për rastin, Policia e Kosovës ishte njoftuar nga një ankues i cili kishte paraqitur ankesën e tij sot në Stacionin Policor në Gjakovë duke thënë se ishte kanosur nga i dyshuari.

Në shtëpinë e të dyshuarit, N.D, Policia ka kryer urdhër-kontroll me dhe ka sekuestruar një pushkë gjuetie, 20 copë fishekë të armës së njëjtë si dhe një pushkë ajrore.

“Urdhër kontrolli është realizuar në vendbanimin e të dyshuarit në fshatin Osek Hilë-Gjakovë, me ç ‘rast është sekuestruar një pushkë gjuetie e kalibrit 12mm dhe 20 copë fishekë të armës së njëjtë, si dhe një pushkë ajrore e kalibrit 5.5mm”, thuhet në njoftim.

Tutje është treguar se me urdhër të Prokurorit të Shtetit pas përfundimit të procedurave policore, personi i arrestuar është ndaluar për 48 orë.