Foto:KALLXO.com

Arrestohet i dyshuari për vrasjen e 31-vjeçarit në Dhërmi

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, sidomos me Policinë greke, është arrestuar G.Sh. i dyshuar për vrasjen e një 31-vjeçari në Dhërmi.

Sipas njoftimit, në një lagje të Sarandës, është gjetur dhe sekuestuar në cilësinë e provës materiale automjeti tip “Audi”, që dyshohet se u përdor nga autori në këtë ngjarje.

“Falë një sërë informacionesh kyçe të siguruara nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e autorit të dyshuar, dhe bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet ndërkombëtare, veçanërisht me Policinë greke, është bërë i mundur lokalizimi dhe ndalimi i shtetasit G. Sh., i cili dyshohet të jetë autor i kësaj ngjarjeje kriminale. Grupi hetimor vijon punën intensivisht, në koordinim me Prokurorinë, për gjetjen e shtetasit E. N. dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes” – thuhet në njoftimin e Policisë më 06.06.2024.

Ngjarja në Dhërmi ka ndodhur rreth orës 00:30 dhe dyshohet se autori ka dalë nga Dhërmiu rreth orës 01:00 dhe është larguar drejt Greqisë, pasi rezulton se është regjistruar në kufi.