Foto: KALLXO.com

Arrestohet gardiani i Burgut të Prishtinës, dyshohet se u dha diçka të paraburgosurve

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se të enjten rreth orës 19:30 në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, oficeri i dhomës së kontrollit gjatë monitorimit të kamerave ka vërejtur se në krahun A/2 dhoma 07, njëri nga oficerët e këtij krahu pa autorizimin e lejuar, në mënyrë jo të rregullt, i është afruar dhomës dhe pasi ka biseduar përmes derës së mbyllur me të paraburgosurit është ulur dhe përmes fundit të derës ka futur gjëra të dyshimta.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i oficerëve korrektues, të cilët pas lokalizimit të oficerit të dyshuar dhe organizimit të bastisjes së dhomës, kanë arritur të gjejnë mjete të dyshimta.

Sipas ShKK-së, lidhur me rastin menjëherë është njoftuar Policia, zyrtarë të së cilës kanë dalë në vendin e ngjarjes, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion për intervistim.