Arrestohet edhe një person për rastin e dhunimit të vajzës së mitur në Gjilan

Edhe një person i moshës 38-vjeçare është arrestuar nën dyshimet se ka dhunuar seksualisht një vajzë të mitur në Gjilan.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurori i rastit, Arben Ismajli.

“Po, është arrestuar edhe një person gjatë ditës se sotme për të njëjtin rast. I arrestuari është 38-vjeçar. Ai është në ndalim”, tha prokurori Ismajli për KALLXO.com.

Edhe i arrestuari i dytë po dyshohet për veprën penale dhunim të së miturës.

KALLXO.com raportoi sot se Gjykata e Gjilanit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit Sh. J.

Personi Sh.J. dyshohet se ka shfrytëzuar një vajzë të mitur duke e dërguar në motele të ndryshme, duke e detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale, ashtu që e mitura ka mbetur shtatzënë.

Më pas, sipas Prokururosë, i dyshuari Sh.J. e kishte dërguar të miturën në një ordinancë private për të kryer abortin.