Dosja e Prokurorisë: Gjilanasi abuzoi seksualisht me të miturën dhe e detyroi të abortojë

Gjykata në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit Sh. J.

Personi Sh.J dyshohet se ka shfrytëzuar një vajzë të mitur duke e dërguar në motele të ndryshme, duke e detyruar të kryej marrëdhënie seksuale, ashtu që e mitura ka mbetur shtatzënë.

Më pas, sipas Prokururosë, i dyshuari Sh.J. e kishte dërguar të miturën në një ordinancë private për të kryer abortin.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale “dhunimi”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që duke marrë bazë edhe rrezikshmërinë e kësaj vepre, pasojat të cilat i janë shkaktuar të miturës, si dhe ambientit dhe kushtet në të cilat jeton i pandehuri, të gjitha këto japin arsye për të besuar se me gjetjen e tij në liri mund të përsërisë veprën penale.