Arrestohen tre të mitur për një vjedhje të rëndë në Podujevë

Sot janë arrestuar tre persona të dyshuar për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se janë të përfshirë në një rast të vjedhjes së rëndë, që ka ndodhur në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Sipas Policisë, rasti i vjedhjes ka ndodhur më 31 tetor 2020 ku personat e dyshuar kanë arritur që me forcë të marrin një çantë dore, në të cilën thuhet se kishte një shumë të parave, dy telefona, si dhe dokumentet personale.

Të dyshuarit janë të moshës 17-vjeç.

Pas intervistimit personat e dyshuar me autorizim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Ndërkohë që bazuar në gjetjet e deritanishme nga hetuesit policorë dyshohet se personat e njëjtë janë të përfshirë edhe në disa raste të tjera të natyrës së njëjtë.