Materialet e sekuestruara. FOTO: Policia e Kosovës.
Arrestohen 4 persona në Prishtinë, policia u sekuestron kokainë, heroinë e mbi 9 mijë euro para
Antidroga e Policisë së Kosovës ka njoftuar se të hënën kanë arrestuar katër persona të dyshuar në Prishtinë, e po ashtu kanë sekuestruar drogë, para, armë, municione dhe dy automjete.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës është bërë e ditur se katër personat A.N. 54 vjeç, A.I. 33 vjeç, A.N. 26 vjeç dhe D.Sh. 34 vjeç janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’.
Po ashtu, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Operacioni policor, ka rezultuar me sekuestrimin e provave/dëshmive materiale si në vijim:
- 785 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë
- 0.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë
- 10.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë
- Një armë zjarri – revole
- Dy karikatorë
- 14 fishekë
- 9267 euro
- 450 franga
- 1700 lekë
- 10 dollarë kanadez
- tre telefona celular
- tre peshore digjitale
- dy automjete
“Pas kompletimit të rastit me vendim të Prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore-Departamenti i Krimeve të Rënda, katër të dyshuarit dërgohen në mbajtje për proceduar të mëtejme ligjore” – është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.