Jeta ne Komnune - Ardian Gjini perballe Jeta Xharres - Komuna Gjakove - Foto: Fatrion Ibrahimi

Ardian Gjini sfidohet me pamjet kur biznesmenit iu kërkuan para nga vëllai i Hajdar Beqës

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, u përball me kontestimet e asamblistit të Alternativës, Ali Tafarshiku, lidhur me deponinë e mbeturinave në komunën e Gjakovës.

Në debatin “Jeta në Komuna”, e udhëhequr nga Jeta Xharra, Tafarshiku iu drejtua Gjinit se kishte trashëguar një kontratë të panënshkruar, ku një kompani kishte fituar të drejtën për menaxhimin e stacionit transfer të mbeturinave dhe se të njëjtën kontratë kryetari e kishte ndryshuar bashkë me kushtet dhe kriteret e saj.

Asamblisti i Alternativës thotë se në bashkëpunim me kryetarin e përmes palëve të treta operatori që duhej të bënte riciklimin e mbeturinave ishte shantazhuar duke shkuar deri te kërkimi i mitos deri në 33% të aksioneve.

Ndërsa, Ardian Gjini replikoi duke mohuar nënshkrimin e kontratës por jo edhe ndryshimin e kushteve të kontratës.

“Për shkak se sipas asaj kontrate ndërmarrja publike “Çabrati” në vend që t’i paguaj 6 euro për ton në Landovicë, ka qenë dashur që t’i paguajnë edhe 2 euro shtesë. Këto përqindjet t’i bajnë në qafë të veten ata që i kanë lypë, unë kontratën nuk e kam nënshkru dhe nuk kam qenë në dijeni që dikush po tenton me negociu”, tha Gjini.

Për këtë çështje emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte bërë emision ku biznesmeni Hajdar Podrimaj ka paraqitur prova të cilat, sipas tij, dëshmojnë se vëllai i deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa, i ka kërkuar 33% të aksioneve të kompanisë për t’i dhënë një ankand në Komunën e Gjakovës.

Podrimaj ka paraqitur një mesazh telefoni ku Hasan Beqa i shkruan në mesazh me të cilin i kërkon që të shkojë te noteri dhe t’ia bartë aksionet e kompanisë.

Podrimaj kishte filmuar edhe bisedat ku diskutohen mesazhet.

Hulumtimi i këtij skandali ka nisur kur në KALLXO.com është paraqitur Hajdar Podrimja i cili është përfaqësues i kompanisë ‘Gjakova Reciklim’. Kjo kompani në vitin 2017 e kishte fituar ankandin për reciklimin e mbeturinave ndërsa në fund qeverisjes së re të Gjakovës i kishte mbetur vetëm nënshkrimi i kontratës.

Ndërrimi i pushtetit solli edhe kërkesa të tjera. Përfaqësuesit e kompanisë pretendojnë se nuk arritën ta nënshkruajnë kontratën për faktin se njerëzit e lidhur me pushtetin e Komunës së Gjakovës i kishin kërkuar 33% te aksioneve ne këmbim që kontrata të nënshkruhej.

Të ftuar në studio janë edhe tre asamblistë, dy prej tyre nga opozita, Ali Tafarshiku nga Alternativa, Mimoza Shala nga Vetëvendosje dhe Shpend Kumnova nga AAK-ja, ndërsa në Zoom Ideal Zhaveli nga Këshilli Rinor i Veprimit Lokal- KVRL.