Arbnesh Ajvazi kthehet në Polici disa muaj pas suspendimit

Drejtori i Divizionit për Siguri në Policinë e Kosovës, Arbnesh Ajvazi është rikthyer në punë pas disa muajsh.

I njëjti ka qenë në suspendim me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës për një rast të cilin ishin duke e hetuar.

Ajvazi ishte suspenduar në shtator të vitit të kaluar nën dyshimet për ushtrim ndikimi dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Në lidhje me këtë rast javë më parë ishte intervistuar edhe drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti.

Ai kishte mohuar se rasti kishte të bënte direkt me 400 kilogramët drogë që u konfiskuan muaj më parë në një depo e cila gjendej në hyrje të qytetit të Lipjanit.

KALLXO.com kishte mësuar se eprori i Policisë kishte biseduar përmes telefonit me njërin nga të dyshuarit që lidhet me rastin e 400 kilogramëve drogë që u konfiskuan në Lipjan.

Në telefonatën mes të dyshuarit dhe eprorit të Policisë nuk ishte përmendur droga, por një rast me disa pagesa dhe që i dyshuari kërkonte që të hetohej.