NPL 'Stacioni i Autobuseve'
Anulohet sërish konkursi për anëtarë të bordit të drejtorëve të ndërmarrjes ‘Stacioni i Autobusëve’
Ndërmarrja Publike Lokale ‘Stacioni i Autobusëve’ ka anuluar për herë të dytë thirrjen për katër anëtarë të bordit të drejtorëve pasi ishte gjetur se një kandidate kishte mbajtur pozitë të auditorit të brendshëm brenda 5 viteve të fundit në ndërmarrje, në kundërshtim me kriteret e konkursit.
Në mbledhjen e mbajtur më 12 maj, komisioni i aksionarëve mori vendim për anulim të konkursit të shpallur më 24 janar dhe rishpalljen e tij.
Sipas njoftimit, anulimi i parë i këtij konkursi më 23 janar 2023 erdhi si pasojë e mungesës së dokumenteve të disa kanidatëve, rast ky që është ende në hetim të Prokurorisë, me po të njëjtin vendim, konkursi ishte rishpallur më 24 janar ku gjithsej 28 kandidatë i kishin plotësuar kriteret për t’u intervistuar.
Në njoftim potencojhet se që nga rishpallja e këtij konkursi kanë kaluar rreth 5 muaj ku edhe ka ndryshuar përbërja e Komisionit Komunal të Aksionarëve, fakt ky që ka ndikuar në mos nxjerrjen e një vendimi me listën definitive të kandidatëve me më së shumti pikë.
Po ashtu, pasi aksionarët kishin analizuar në detaje tërë procedurën, kanë gjetur se njëra prej kandidateve e vlerësuar me numrin më të madh të pikëve, nuk i plotëson kriteret e përgjishme të konkursit ku thuhet se: Drejtorët e Bordit nuk duhet të jenë në pozita menaxheriale të ndërmarrjes së paku pesë vitet e fundit.
Derisa, është gjetur se njëra kandidate ka ushtruar funksionin e auditorit të brendshëm të ndërmarrjes, rrjedhimisht ka pasur të hyra nga ndërmarrja brenda kësaj kohe.
NPL ‘Stacioni i Autobusëve tutje thekson se mos përmbushja e kushteve dhe kritereve kryesore konsiston në shkelje absolute, gjë që ka shtyrë aksionarët për këtë rishpallje të konkursit.
Konkursi i ri do jetë i hapur për 15 ditë nga dita e publikimit (15 maj).
Komuna e Prishtinës anulon konkursin për anëtarë bordi të Stacionit të Autobusëve