Foto: Driton Lajçi/Facebook

Ankesa e Driton Lajçit shpallet 'e papranueshme' nga Gjykata Speciale

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me seli në Hagë shpalli të papranueshme kërkesën e Driton Lajçit, drejtuesit të Zyrës qeveritare për mbrojtje juridike të të akuzuarve potencialë nga Dhomat e Specializuara, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procedurës gjatë intervistimit para Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Dhomat e Specializuara pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me seli në Hagë, kanë shpallur të papranueshme kërkesën e Drejtuesit të Zyrës qeveritare Driton Lajçit për mbrojtje juridike të të akuzuarve potencialë nga ana e Dhomave të Specializuara, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e intervistimit para Prokurorit të Specializuar.

Që nga viti i kaluar, janë pranuar shumë ftesa nga ana e komandantëve e ushtarëve të UÇK-së, pasi që të njëjtit po hetohen për krimet e pretenduara të kryera nga ushtarët e UÇK-së vitet 1998 dhe 2000.

Vendim për kërkesën e Driton Lajçit në lidhje me procedurën e intervistës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është publikuar nga Dhomat e Specializuara dy ditë më parë.

Gjithmonë sipas vendimit të Dhomave të Specializuara, më 25 shtator të vitit të kaluar Driton Lajçi është thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar pasi që ky i fundit beson se Lajçi ishte përfshirë në kryerjen e një vepre penale.

Më 13 tetor 2019 sipas vendimit të Dhomave të Specializuara, Lajçi kishte kërkuar që të informohet se cilat janë akuzat specifike ndaj tij.

Një ditë më vonë, Dhomat e Specializuara kishin informuar Lajçin se po e hetonin por nuk kishte pranuar që t’i ofrojë prova në lidhje me këtë.

Më 17 tetor, Lajçi së bashku me këshilltarin e tij kishte marrë pjesë në një intervistë nga Dhomat e Specializuara, e Lajçi ishte mbrojtur në heshtje.

Lajçi ishte ankuar në Dhomat e Specializuara për thirrjet ndaj tij si i dyshuar.

Gjithashtu  në vendimin e Dhomave të Specializuara thuhet se në kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së procedurës së intervistimit ndaj Lajçit, prokurori i specializuar ‘në mënyrë të vazhdueshme kishte pyetur Lajçin nëse refuzimi i tij për tu përgjigjur kishte të bënte me të drejtën e tij për lirinë ndaj vet inkriminimit’.

Avokati i Lajçit kishte thënë se e drejta për të heshtur dhe e drejtë për lirinë ndaj vet-inkriminimit janë dy të drejta të ndara, ndërsa në kërkesën e tij kishte kërkuar që intervista e Lajçit e 17 tetorit nga ana e Dhomave të Specializuara të konsiderohej e paligjshme dhe e papranueshme.

Dy ditë më parë, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara, Vidar Stensland, Roland Dekkers dhe Antonio Balsamo, kanë shpallur kërkesën për rishikim të kushtetutshmërisë së procedurës së intervistimit të papranueshme.

Në vendim thuhet se sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë, është detyrë e Dhomës të vlerësojë nëse parregullsitë e paraqitura nga pala ankuese kanë shkelur të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë.

“Roli i Dhomës nuk është të vendosë nëse thirrjet nga prokuroria ose procedurat e intervistimit shkelin ligjin ose Rregulloren e Procedurës dhe Provave. Paneli mund të marrë në konsideratë vetëm nëse pretendimet për mospërputhjen e prokurorisë me dispozitat përkatëse të Rregullores së Procedurës dhe Provave ka shkelur të drejtën e ankuesit për një gjykim të drejtë të garantuar me Kushtetutë, ” thuhet në vendimin e 13 janarit të këtij muaji të Dhomave të Specialuzara.

Dhoma e Specializuar, ka thënë edhe se kërkesa e Driton Lajçit, ka të bëjë me një fazë të hershme të procedurës penale pra intervistën me prokurorin. Ky i fundit sipas vendimit është ende duke kryer hetime.

“Duke marrë parasysh se nuk ka pasur gjykim, paneli nuk mund të spekulojë në këtë fazë se a do të ketë dhe çfarë efekti do të ketë thirrja e kontestuar dhe procesi i intervistimit në një gjykim të drejtë, nëse do të ketë”, thuhet tutje në vendimi.

Sipas vendimit, thuhet edhe se në rast të një gjykimi, parashtruesi i kërkesës do të jetë në gjendje të ngrejë çështjen e një gjykimi të drejtë nëse e konsideron veten viktimë të shkeljeve të pretenduara.

“Prandaj, dhoma konstaton se kërkesa është e parakohshme dhe duhet të shpallet e papranueshme”, thuhet në vendim.