Anëtarët e Bordit të STIKK-ut japin dorëheqje
Kryetari i Bordit të Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), Valon Canhasi, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Sipas njoftimit të Canhasit në Facebook të gjithë anëtarët aktual të Bordit të STIKK kanë dhënë dorëhejqe.
Përmes një postimi në Facebook, Canhasi ka shkruar se këto dorëhqje vijnë pas disa propozimeve për ndryshime në organizatë që Bordi ua ka bërë anëtarëve në Kuvendin e Shoqatës për Teknologji të Informacionit të Komunikimit në Kosovë e të cilat janë refuzuar.
Në mbledhjen e 15 të Kuvendit të STIKK, sipas Canhasit, Bordi i përbërë nga ai dhe antarët Hana Qerimi, Astrit Desku, Armend Malazogu, Arbër Bakija, Muharem Shefkiu, Yll Zagragja, pas identifikimit të problemeve gjatë mandatit, mbi mbarëvajtjen e punës, implementimit të planit të punës dhe proceseve në Shoqatë dhe me synimin për përmirësimin kishin bërë 7 propozime për ndryshim në Statutin e Shoqatës.
Propozime e bëra nga Bordi (të postuara nga Canhasi) janë si në vijim:
1. Një term gjithëpërfshirës për industritë e STIKK
Zgjerimin e sektorëve të industrive të cilat përfshihen në #TMT (Technology Media and Telecom) dhe që mund të anëtarësohen në STIKK
(Ky ndryshim është propozuar me qëllim të ofrimit të mundësisë së anëtarësimit në shoqatë të të gjitha kompanive që merren me shërbime dhe produkte digjitale, si dhe rritja e të hyrave nga anëtarësia, sepse siç është identifikuar ndër vite, anëtarësia ka marrë pjesë në buxhetin e shoqatës në mesatare prej 15%. Qëllimi ishte rritja e anëtarësisë dhe vetë qëndrueshmëria financiare e shoqatës).
2. Kriteret për refuzim dhe pranim të anëtarësisë.
(Ky ndryshim është propozuar me qëllim të vendosjes së kritereve mbi të cilat një kompani mund të anëtarësohet ose refuzohet nga anëtarësimi në shoqate. Sipas statutit aktual ka qenë në diskrecion të bordit me aprovu/largu anëtarë)
3. Delegimi i kompetencave tek Bordi i drejtorëve:
(Ky ndryshim është propozuar me qëllim të ngritjes së përgjegjësisë udhëheqëse dhe vendimmarrëse të bordit të përzgjedhur nga kuvendi sidomos në rastet kur identifikohet mungesë efikasiteti në punë, si dhe shkelje procedurale, financiare ose etike gjate udhëheqjes së shoqatës)
Kuvendi i Anëtarëve, në përputhje me nenin 31, paragrafi 5 të Ligjit për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare delegon kompetencat në vijim tek Bordi i Drejtorëve:
4.1. Zgjedhjen Drejtorit Ekzekutiv dhe të përfaqësuesit të autorizuar të Organizatës;
4.2. Zgjedhjen e Përfaqësuesit të Përkohshëm të organizatës në rast të dorëheqjes së Drejtorit Ekzekutiv;
4.3. Zgjedhjen e anëtarëve të Komiteteve dhe Nënkomiteteve të organizatës; dhe
4.4. Pranimin, suspendimin dhe përjashtimin e anëtarëve të Organizatës
- Vendimmarrja në Kuvend të Anëtarëve
Vendimmarrja të bëhet me shumicë të thjesht në vend se me ⅔ e votave
(Ky ndryshim është propozuar me qellim qe vendimet te merren me shumicën pjesëmarrëse në takim dhe përshpejtimit të aprovimeve ndryshimeve të propozuara në të mire të shoqatës)
5. Mandati i bordit
Mandati i bordit të kufizohet në 2 vite dhe në vetëm 2 mandate të njëpasnjëshme (Ky ndryshim është propozuar me qëllim që të rifreskohet bordi me antarë të ri)
6. Lidhja e mandatit të anëtarit të bordit me anëtarësi
Momentalisht nuk është e definuar, dhe është propozuar si më poshtë:
Në rastet kur anëtar të Bordit të Drejtorëve janë përfaqësuesit juridik apo të deleguar të personave juridik anëtarë të Organizatës, atëherë anëtarësia në Bord të Drejtorëve është ngushtë e lidhur me personin juridik anëtar të Organizatës, dhe personi juridik i tillë ka të drejtë të zëvendësojë përfaqësuesit juridik apo të deleguar të tij në Bordin e Drejtorëve të Organizatës nëse personi i tillë nuk vazhdon të jetë edhe më tutje i punësuar apo përfaqësues juridik i anëtarit të Organizatës
7. Përcaktimi i mandatit të kryeshefit ekzekutiv me mandat 4 vjeçar
(Ky ndryshim është propozuar me qëllim që të mandatohet pozita e kryshefit me mundësi rizgjedhje për edhe një mandat tjetër)
Pakot e anëtarësisë:
Janë propozuar pakot e reja të anëtarësisë te ndara sipas kategorisë
(Ky ndryshim është propozuar me qëllim të përmirësimit të ofertës/shërbimeve ndaj anëtareve si dhe për të përmirësuar qëndrueshmërinë financiare të shoqatës)
Canhasi ka arsyetuar propozimet e lartcekura duke theksuar se janë bërë më qëllim të përmirësimit të punës në së shoqatës.
“Këto ndryshime janë propozuar si rrjedhojë e identifikimit të mos implementimit në masën e kënaqshme të planit të punës të aprovuar në kuvend si dhe keq-menaxhimit të shoqatës përmes procedurave jo-profesionale gjatë përfundimit te detyrave ekzekutive”- ka shkruar ai.
Sipas tij, bordi ka vlerësuar që mos aprovimi i ndryshimeve të propozuara në kuvend e bën të pamundur menaxhimin e shoqatës në të mirë të anëtarëve.
“Me mënyrën e funksionimit të cilën shoqata e ka treguar gjate këtij mandati, bordi në mënyrë unanime nuk u pajtua, propozoi ndryshimet te cilat nuk u miratuan prandaj jep dorëheqje nga detyra pasi që nuk e sheh të arsyeshme vazhdimin e punës me mënyrën e menaxhimit që ndodhë aktualisht”- ka theksuar ai.
Tutje Canhasi ka thënë se të gjitha kompanitë që bordi i përfaqëson në kuvend, duke marrë parasysh pakënaqshmerinë e pranimit të shërbimeve si anëtar si dhe jo-gatishmërinë për të implementuar ndryshimet për menaxhimin më të mirë të shoqatës në të ardhmen, kanë pushuar se qenuri anëtarë ne STIKK.
I kontaktuar nga KALLXO.com, Canhasi ka thënë se të gjitha arsyet që kanë çuar në dorëheqjen e tij i ka postuar në Facebook.
“Përveç deklaratës, nuk ka diçka jashtë asaj, kështu që ajo është e tëra”- ka thënë shkurt ai.
Bordi i Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK) është zgjedhur më 9 shkurt të vitit të kaluar.
STIKK është themeluar në vitin 2008, aktualisht ka mbi 100 anëtarë të cilët përfaqësojnë mbi 60% të tregut të punës në TIK në Kosovë dhe mbi 75% të qarkullimit vjetor të sektorit TIK.
STIKK ka mision të ndihmojë rritjen afatgjatë të sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës, është e angazhuar në përmirësimin e mjedisit të biznesit për TIK, si dhe promovimin e kontributit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në rritjen ekonomike dhe progresin shoqëror në Kosovë.
(Shënim: Artikulli është edituar pasi dorëhqeje kanë dhënë të gjithë anëtarët e STIKK dhe jo vetëm Canhasi, ashtu siç është shënuar në titullin e edituar – Koha e editimit: 11:21 – 31.03.2023)