Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, Kurti e Gërvalla: Ndajmë vlera demokratike, tani jemi në substancën e procesit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kanë marr pjesë në takimin e parë të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Albin Kurti, kryeministër i vendit u shpreh se qeverisja e mirë si dhe progresi demokratik i kanë hapur rrugë vendit për anëtarësim në këtë organizatë.

Sipas tij, tani që procesi është te asambleja parlamentare nis edhe etapa e substancës së këtij procesi.

“Si organizata me e vjetër pan evropiane, Këshilli i Evropës ashtu si vendi jonë mishërojnë vlerat më të larta evropiane, ashtu si të drejtat e njeriut. Më 24 prill komiteti i ministrave vendosi në favor të aplikimit të Kosovës, tani që procesi ka kaluar të asambleja parlamentare mund të themi se fillon etapa substanciale e procesit. Qeveria do të bashkëpunojë ngushtë me asamblenë parlamentare”- u shpreh Kurti.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është shprehur se Kosova është dashur të anëtarësohet dje si vendi më demokratik në rajon.

“Si vendi më demokratik në rajon, si vendi që është shembull në përfaqësimin e vlerave që përfaqëson KE, mendojmë që Kosova dje është dashur të anëtarësohet. Shpresoj që së bashku të na dëshmoni që sa shpejt dhe sa është e përgatitur Kosova për t’u anëtarësuar. Faza e parë jep shpresë, tani do të shohim sesi do të vazhdojmë”- është shprehur Gërvalla.

Derisa, Kreshnik Ahmeti, zëvendësministër i MPJD tha se faza e dytë e këtij procesi është më komplekse.

“Faza e dytë është më komplekse dhe kërkon një gjithëpërfshirje më të ngushtë prandaj e kemi pa të nevojshëm themelimin e këtij grupi koordinues”- ka thënë ai.

Pjesa e dytë e këtij takimi ka vazhduar e mbyllur për media.