Foto: KALLXO.com

Amir Keka zgjidhet drejtor i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

Amir Keka është zgjedhur drejtor i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH).

Keka deri më tani ka udhëhequr Departamentin e Shërbimeve Farmaceutike në këtë institucion.

Ai u vlerësua me 78.4 pikë nga 100 gjithsej, prejt të cilave 43.4 i grumbulloi në test me shkrim e 35 në intervistë me gojë.

Enver Gërguri, kundërkandidat, mori 45.4 pikë, prej të cilave 22.2 në test e 23.2 në intervistë.

Kundërkandidati tjetër, Bujar Kaçuri, i cili veçse mban këtë pozitë si ushtrues detyre, nuk mori pjesë fare në test e intervistë.

Kaçuri tha shkurt për KALLXO.com se e ka vlerësuar që të mos vazhdojë konkurrimin.

 

KALLXO.com raportoi rreth formimit nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia (njëherësh kryesues i bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore), të komisionit që do të intervistonte kandidatët për pozitën e drejtorit të Fondit.