Aliu flet për aktakuzën ndaj tij, tregon a do të japë dorëheqje
Ministri i Infrastrukturës, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, ka folur në lidhje me aktakuzën e ngritur ndaj tij nga Prokuroria e Shtetit, për leje ndërtimore, në kohën kur ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.
Aliu ka thënë se aktakuza ka të bëjë me mosdhënien e një leje në lokacionin ‘Prishtina e Re’.
“Investitori privat ka kërku leje, unë nuk i kam dhënë leje, ka kërku leje për banim, ne nuk i kemi dhënë. Për shkak se me Planin Rregullues Urban ‘Prishtina e Re’, në atë lokacion parashihet shkollë. Natyrisht që Drejtoria e Urbanizmit është e obliguar që të zbatojë Planet Rregulluese, të cilat i miraton Kuvendi Komunal. Kuvendi Komunal e ka miratu atë plan në vjeshtën e vitit 2013, pa qenë unë ende drejtor”, ka thënë Aliu në emisionin “Kallxo Përnime”.
Sipas tij, ai plan ka qenë i verifikuar ligjërisht sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
“Ai ka qenë plani i fundit i miratuar për atë lokacion, nuk ka pasur plan tjetër të mëvonshëm për atë. Me atë plan aty është paraparë shkollë”, ka thënë Aliu.