Albin Kurti

Albin Kurti për planin franko-gjerman: Njohjen de facto e kemi aty

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë për Tv Klan ka bërë të ditur se plani franko -gjerman nuk është marrëveshje finale, por e parasheh njohjen de facto.

“Plani është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme, negocimet mund të zgjasin më shumë. Ne e pranojmë në parim, duhet të negociojmë dhe më pas ta shndërrojmë në marrëveshje. Nuk është i menduar si propozim për marrëveshje finale, por është normalizim që nuk është ende dhe mund të themi se njohjen de facto e kemi aty”- tha Kurti.

Ai shtoi se është kërkesë e ndërmjetësuesve që plani të mos bëhet publik deri të ketë hap konkret drejt pranimit të tij.

“Ka qenë kërkesë e ndërmjetësuesve që plani franko-gjerman të mos bëhet publik, pra deri sa të ketë një hap konkret drejt pranimit të tij të mos ketë zbardhje të plotë të përmbajtjes së tekstit”- shtoi Kurti.

Kryeministri theksoi se kur u soll plani më 20 janar ishte më shumë në qasjen ‘merre ose lëre’.

“Pesë emisarë kanë qenë më 20 janar në Kosovë, të gjithë janë për këtë plan dhe është ende në fazën e një propozimi. Herën e parë kur e kanë sjellë në shtator nuk ka qenë merre ose lëre, ndërsa kur e kanë sjellë në janar, ishte shumë afër ‘merre ose lëre'”- shtoi tutje Kurti.