Albin Kurti: Më 6 tetor qytetarët treguan kush duhet të udhëheq

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet e 6 tetorit kanë përcaktuar se kush duhet të udhëheq me ekzekutivin kosovar.

“Më 6 tetor qytetarët e Kosovës kanë vendosur për ndryshim të madh politik, opozitën e deridjeshme e kanë bërë qeveri të ardhshme. Mirëpo, kanë treguar se kush duhet të udhëheq, pra ne për këto gjëra kemi mundur të flasim para 6 tetorit, në fakt edhe para 6 shtatorit kur kemi dorëzuar listat si subjekte të veçanta, mirëpo është verdikti i popullit ai i cili ka përcaktuar shumë gjëra”, ka thënë Kurti të mërkurën.

Tutje, kandidati për kryeministër nga LVV tha se kanë harmonizuar mbi 80% të programit qeverisëse me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Tash për tash, sipas tij, ka mbetur vetëm edhe ndarja e ministrive.

“Ne çka kemi bërë ndërkohë, është edhe një kulturë e re e formimit të Qeverisë para se ta kemi kulturën e re qeverisëse, kemi diskutuar temat, çështjet, kemi harmonizuar programin e përbashkët qeveritar  dhe ky është kryer në masën mbi 80% dhe unë jam shumë i lumtur për këtë gjë. Ka mbetur edhe pjesa tjetër e cila është ndarja e përgjegjësive dhe funksioneve , pozitave e posteve, pra e ministrive. Bashkë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, udhëheqjen e LDK-së, ne natyrisht edhe do të takohemi edhe do merremi vesh sepse populli na e ka përkufizuar një gjë të tillë”, ka thënë Albin Kurti.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, forca më e madhe politike në Kosovë doli Lëvizja Vetëvendosje me një diferencë jo të madhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndarja e kulaçit – KQZ shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve

www.kallxo.com