Albin Kurti ia kujton Vuçiqit deklaratën: "Vrisni një serb, ne do vrasim 100 myslimanë"

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot ia kujtoi Presidentit Vuçiq deklaratën e tij të bërë 25 viteve më parë. Vuçiq para deputetëve të ish-Jugosllavisë ishte shprehur se “për një serb të vrarë do vrasim 100 myslimanë”.

“Sot, më 20 korrik 2020, bëhen 25 vjet nga deklarata famëkeqe e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, atëbotë deputet i partisë së Sheshelit: “Ju bombardoni, vrisni një serb e ne do të vrasim 100 myslimanë. E ta shohim pastaj se a guxon bashkësia ndërkombëtare apo kushdo tjetër të godasë mbi pozicionet serbe, a mund të sillen ashtu me popullin serb,” është shprehur Kurti, duke ia bashkangjitur edhe videon postimit të tij.

Kurse në një video tjetër që Kurti ka bashkangjitur në shkrim janë pamje nga maskara e Srebrenicës, e cila sipas Kurtit erdhi vetëm nëntë ditë para fjalimit të lartpërmendur.

“Ndërkaq në videon tjetër gjashtë minutëshe shihet njësiti serb ‘Shkorpionët’, pjesëtarët e të cilit pushkatojnë në Srebrenicë boshnjakë civilë, të mitur e me duar të lidhura pas shpinës. Kjo ngjan nëntë ditë para deklaratës së lartëpërmendur të Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë. Pra, vriten jo 100, por mbi 8.000 myslimanë, më 10 dhe 11 korrik 1995, e nëntë ditë më vonë Vuçiqi bëri atë deklaratë. Më 23 maj 2005, znj. Natasha Kandiq ia ka dhënë prokurorisë për krime lufte në Serbi dhe asaj në Hagë këtë video,” ka theksuar tutje Kurti.

Sipas Kurtit vetëm pas katër viteve më 28 mars 1999 i njëjti grup “Shkorpionët” pushkatojë familjet Bogujevci dhe Duriqi në Podujevë.