Albin Kurti emëron edhe një këshilltar politik

Kryeministri i Kosovës  Albin Kurti, ka emëruar sot Shkëlzen Gashin këshilltar politik.

Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit në një komunikatë për media.

“Shkëlzen Gashi është lindur në Prishtinë më 1981. Ka mbaruar studimet për shkenca politike në Universitetin e Prishtinës si dhe studimet master për demokraci dhe të drejta të njeriut në programin e përbashkët të Universitetit të Bolonjës me atë të Sarajevës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Gashi ka botuar disa libra në Kosovë, në mesin e të cilëve edhe “Adem Demaçi – biografi e paautorizuar”.

“Po ashtu, jashtë vendit ka botuar shumë punime e kapituj librash, kryesisht për marrëdhëniet shqiptaro-serbe, të publikuara nga shtëpi botuese prestigjioze europiane, si Central Europian University Press, Routledge, Palgrave Macmilan, etj. Është i martuar dhe ka dy fëmijë”, njofton Kryeministria.

Shkëlzen Gashi ka qenë edhe themelues i organizatës joqeveritare “Admovere”, përderisa vet Gashi ka bërë të ditur për KALLXO.com se më nuk është pjesë e saj.

Kryeministri Albin Kurti deri më tani ka emëruar më shumë se 10 dhjetë këshilltarë.