Aktakuzë për drogë ndaj tre personave në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, sot më datë 21.06.2024 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: K. Th., A. K., dhe J. B., për shkak se pretendohet se kanë kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit A. K., dhe K. Th., më datë 14.03.2024 rreth orës 16:40 në Prizren në rrugën “Xhemaj Bjediqi”, pikërisht prapa një furre të bukës, në cilësinë e bashkëkryerësve me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes pa autorizim kanë poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë.

Gjithnjë sipas aktakuzës të pandehurit ishin të ulur në një tavolinë prapa furrës së bukës, ku kishin vendosur disa qese me substancë narkotike të llojit marihuanë, hasen nga policia.

“Policia ka gjetur dhe sekuestruar, në tavolinën ku po qëndronin të pandehurit marihuanë me peshë neto prej 0.60 gram, dhe 1 qese plastike me peshe neto prej 2.42 gram me marihuanë”.

“Ndërsa në motoçikletën të pandehurit A. K., janë gjetur dhe sekuestruar 35 qese plastike me marihuanë me peshë prej 73.63 gram. Dhe 1 qese plastike me marihuanë me peshë neto 49.63 gram. Me peshën totale të substancës narkotike prej 126.28 gram. Si dhe një peshore elektronike për matjen e narkotikut, si dhe 15 euro, që dyshohet se janë mjete të fituara nga shitja e substancave narkotike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria të njëjtat po i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Ndërsa, sipas Prokurorisë i pandehuri A. K., më datë 31.03.2024, rreth orës 13:05 minuta, në Prizren, pa autorizim ka shpërndarë substancë narkotike të llojit marihuanë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se: “A. K. takohet me të pandehurin J. B., në rrugën “Ibrahim Rugova” ku të njëjtit i jep në këmbim të 240 qeseve plastike që shërbejnë për paketimin e substancës narkotike, një dozë të substancës narkotike të llojit marihuanë në peshë prej 0.27 gram”.

Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Ndërsa, i pandehuri J. B., sipas Prokurorisë më datë 31.03.2024, rreth orës 13:05 minuta, në Prizren, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë, peshë prej 0.27 gram, të cilën substancë narkotike e kishte marrë nga i pandehuri A. K., në këmbim të 240 qeseve plastike. Më këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.