Ilustrim - Foto: KALLXO.com bastisjet nga policia ne rastin Brezovica

Vazhdon aksioni “Brezovica”, bastisen 12 lokacione - Pamje

Është duke vazhduar aksioni i njohur si “Brezovica”, për të tretën herë me radhë, nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e Brezovicës.

Sot janë duke u bastisur 12 lokacione në katër qytete të Kosovës, në Ferizaj janë duke u bastisur 5 lokacione, 1 në Lipjan, 1 në Skenderaj dhe 5 të tjera në Prishtinë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar, Prokurori i Krimeve të Rënda në Ferizaj, Rasim Maloku.

“Aksioni është duke vazhduar në 12 lokacione, për detaje do njoftoheni me kohë, por mund të konfirmoj se aksioni është duke vazhduar sipas planit”, tha Maloku.

Më 21 dhjetor, në pjesën e parë të aksionit të njohur si “Brezovica”, janë arrestuar 10 persona ndër ta edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Nikoliq po dyshohet se në cilësinë e Kryetarit të Shtërpcës nga viti 2014 deri në vitin 2018 ka pranuar ryshfet – para dhe dhurata me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në vikend zonën e Brezovicës.

Prokuroria po pretendon se ish-kryeari Nikoliq ka pranuar 210 mijë euro ryshfet për dhënien e 21 lejeve ndërtimore të vikend shtëpizave për investitorin “Stella Consullting”, si dhe 200 mijë euro të tjera për lejen ndërtimore të objektit hotelier “Stella Consullting”. Me këto veprime Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprat penale “marrja e ryshfetit”, “keqpërdorimi i detyrës”.

Po ashtu, Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, duke ndikuar në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore.