Foto: KALLXO.com

7 persona të arrestuar në operacionin "Brezovica", dy prej tyre nga Ministria e Mjedisit

Në pjesën e dytë të aksionit “Brezovica” janë arrestuar 7 persona, dy prej tyre zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, për të cilët nuk bëhet e ditur nëse punojnë ende aty dhe pesë qytetarë.

Zyrtarët e ministrisë janë të dyshuar për marrje ryshfeti ndërsa qytetarët për dhënie ryshfeti.

Një aksion i gjerë i bastisjeve ka nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm në tri qytete të Kosovës, në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë.

Aksioni i mëngjesit të sotëm është vazhdim i aksionit të 21 dhjetorit të vitit të kaluar që lidhet me ndërtimet në Brezovicë.

Janë duke u bastisur 9 lokacione të ndryshme si dhe KALLXO.com merr vesh se aksioni i Brezovicës është shtrirë edhe në tri zyra të ndryshme në Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Lokacionet e ndara sipas qyteteve janë, 4 në Shtërpcë, 2 në Ferizaj dhe 4 në Prishtinë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, i cili është në mbikëqyrje të aksionit në Shtërpcë.

“Po, sot jemi në ditën e dytë ë vazhdimit të aksionit të koduar “Brezovica”, janë disa lokacione duke u bastisur”, tha Jashari.

Më 21 dhjetor, në pjesën e parë të aksionit të njohur si “Brezovica”, janë arrestuar 10 persona ndër ta edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Nikoliq po dyshohet se në cilësinë e Kryetarit të Shtërpcës nga viti 2014 deri në vitin 2018 ka pranuar ryshfet – para dhe dhurata me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në vikend zonën e Brezovicës.

Prokuroria po pretendon se ish-kryeari  Nikoliq ka pranuar 210 mijë euro ryshfet për dhënien e 21 lejeve ndërtimore të vikend shtëpizave për investitorin “Stella Consullting”, si dhe 200 mijë euro të tjera për lejen ndërtimore të objektit hotelier “Stella Consullting”.

Me këto veprime Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprat penale “marrja e ryshfetit”, “keqpërdorimi i detyrës”.

Po ashtu, Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, duke ndikuar në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore.

Nikoliq sipas Prokurorisë po dyshohet se për dhënien e lejeve ndërtimore në Brezovicë ka pranuar para në vlerë  940 mijë euro, 5 shtëpi vikendi në vlerë 300 mijë euro, dhe një veturë “Range Rover” në vlerë prej 78 mijë euro, për një shumë të përgjithshme 1 milion e 318 mijë euro.

Një pistoletë e tipit “Cërvena Zastava”, dy karikatorë, 247 fishekë të kalibrit 9 mm, dhe një armë e cilësuar në dosjen e Prokurorisë si “armë shigjetë”, janë sekuestruar po ashtu gjatë aksionit të 21 dhjetorit nga policia e pretendohet se i përkasin ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.

Ish-kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliq; drejtori i Urbanizmit, Dimitrije Raçiçeviq; Dragomir Milosavleviq dhe Hysni Bajrami – inspektorë të ndërtimit të Komunës së Shtërpcës; Sasha Milosavleviq, drejtor i Kadastrit të Komunës së Shtërpcës, Raif Bajrami, shef i Inspektoratit të Komunës së Shtërpcës, dy persona përgjegjës të dy kompanive dhe dy persona të tjerë që dyshohen se ndihmuan kryerësit pas kryerjes së veprës penale – u arrestuan dje edhe ndaj tyre është kërkuar masa e paraburgimit ndërsa seanca po mbahet sot në Gjykatën e Ferizajt.