FOTO/ Naim Krasniqi - KALLXO

Nga viti 2000 toka bujqësore është zvogëluar përreth 30 mijë ha në Kosovë

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka publikuar raportin e treguesve mjedisor për kategoritë e mbulushmërisë së tokave në Kosovë në vitet 2000-2018.

Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2000 kanë qenë 444,320.72 hektarë zonë bujqësore, ndërkaq në vitin 2018 kanë qenë 416,168.22 hektarë zonë bujqësore.

Sipas përllogaritjes i bie që në Kosovë në ndër vite ka pasur rënie të zonave me tokë bujqësore, për 28,152.5 hektarë më pak.

Burimi: Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës

Kjo agjenci ka njoftuar se sipas të dhënave nga imazhet satelitore të vitit 2018, që janë përpunuar nga AMMK, në kuadër të projektit Implementimi i CLC 2018 (Corine Land Cover 2018) në vendet e Ballkanit Perëndimor, i mbështetur nga Agjencia e Mjedisit të Evropës, në Kosovë janë identifikuar 30 klasa të mbulueshmërisë së tokave nga 44 sa ka gjithsej nomenklatura CORINE.

“Këto klasa janë grupuar në 5 klasa kryesore ku dominojnë pyjet dhe zonat gjysmë-natyrore me rreth 57% dhe tokat bujqësore me rreth 38%, ndërsa që sipërfaqet artificiale përfaqësohen me mbi 4.6% të totalit. Rreth 0.3 % e tokave të mbuluara klasifikohen në klasën e trupave ujorë dhe zonave të lagura (ligatinat)”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij agjencioni, nga të dhënat e prezantuara (tabela: Kategoritë e mbulueshmërisë së tokave 2000-2018 ha) vërehet se gjatë periudhës kohore 2000-2018, ka pasur rritje të vazhdueshme të sipërfaqeve artificiale (zona ndërtuese), ndërsa ka pasur zvogëlim të sipërfaqeve bujqësore.