Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit reagon për planin e ndërtimeve në Liqenin e Badovcit

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), ka reaguar në lidhje me raportimet për ndërtimin e disa vilave buzë  Liqenit të Badovcit, në Prishtinë.

AMMK-ja ka reaguar duke thënë se i ka përcjellur me vëmendje reagimin e qytetarëve dhe shoqërisë civile, për këtë rast dhe se deri më tani nuk ka pranuar asnjë shkresë apo kërkesë zyrtare për verifikimin e vendodhjes së lokacionit të supozuar, për ndërtime në Badovc.

“As që është kërkuar mendimi profesional i AMMK mbi ndikimet e mundshme të këtij projekti mbi ekosistemet përreth, zonat e mbrojtura të natyrës që shtrihen në këtë pjesë dhe në zonën e akumulacionit të Badovcit”, thuhet në reagimin e AMMK.

Tutje në reagim, Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit thotë se Liqeni i Badovcit është i mbrojtur me një vendim të Qeverisë së datës 24 prill 2013, për caktimin e zonave të mbrojtura.

AMMK gjithashtu ka prezantuar hartën e shtrirjes së të gjitha zonave të përmendura, duke thënë se ata që e dinë lokacionin e saktë potencial të ndërtimit të objekteve, mund të vlerësojnë ndërlidhjen dhe ndikimet e projektit në këtë zonë.

“AMMK si institucion përgjegjës për monitorimin dhe vlerësimin e gjendjes së mjedisit përfshirë edhe resurset natyrore, vlerëson se çfarëdo qofshin projektet që janë në kundërshtim me shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore pa marrë parasysh qëllimin e tyre duhet t’i nënshtrohen procesit të marrjes së pëlqimeve dhe lejeve paraprake dhe respektimit të dispozitave që dalin nga Ligji”, thuhet në fund të reagimit të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.