Aksidenti në magjistralen Gjakovë-Prizren tek autosallon Xeni

Aksidenti tek autosalloni në Gjakovë, kompania 'Shpejtimi' del me sqarim

Tre persona kanë mbetur të lënduar nga një vetaksident që ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në magjistralen Gjakovë-Prizren.

Një autobus që ka qenë duke kaluar në këtë rrugë ka goditur gjashtë vetura të një autosalloni.

Lidhur me këtë aksident, kompania turistike ‘Shpejtimi’ ka dhënë një sqarim ku ka thënë se autobusi gjatë kohës kur ka ndodhur aksidenti ka qenë jashtë shërbimit.

“Kompania Turistike “Shpejtimi” njofton publikun se një autobus i kompanisë i cili ishte jashtë shërbimit, në rrugën për t`u kthyer tek garazhi, është përplasur me disa makina të parkuara në zonën e Gjakovës” – është thënë në sqarim.

Tutje u tha se në procedurat brenda kompanisë – kompania ka marrë versionin e shoferit të autobusit, i cili ka sqaruar se aksidenti ka ndodhur në një tentativë për të shmangur një pengesë në rrugë dhe autobusi ka humbur kontrollin.

Gjithashtu u njoftua se në autobusin e aksidentuar nuk kishte pasagjerë dhe askush nuk është lënduar.

“Duke pasur parasysh që sqarimi i rrethanave të aksidentit i përket autoriteteve kompetente kompania nuk mund të japë versionin final në këto momente për aksidentin” – njoftoi kompania.

Në sqarim u tha se në kontrollin e brendshëm kompania ka verifikuar se në kontrollet teknike autobusi ka qenë në rregull teknikisht dhe i është nënshtruar kontrolleve të vazhdueshme teknike.

Pamje – Momenti kur autobusi godet veturat brenda autosallonit në magjistralen Gjakovë-Prizren