Aksidentet në vendin e punës, Berisha: Në shumicën e rasteve shqyrtimet fillestare gjyqësore kanë nisur pas disa vitesh

Në “Kallxo Përnime” po transmetohet pjesa e dytë të emisionit që i kushtohet sigurisë së punëtorëve dhe vdekjes së punëtorëve në vendin e punës.

Gjatë këtij emisioni është theksuar se sipas ligjit kur ngrihet një aktakuzë ndaj dikujt që e ka shkelur Ligjin e sigurisë në punë ose nuk i ka respektuar rregullat ose ka kryer vepër penale që lidhet me marrëdhënien e punës, seanca për t’ia nisur gjykimi duhet të caktohet për 30 ditë.

Mirëpo, Kastriot Berisha, nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka thënë se prej 27 rasteve të analizuara është vërejtur se në shumicën e rasteve vonesat kanë qenë me vite dhe se nga gjitha këto raste vetëm tri raste janë trajtuar brenda afatit 30 ditor.

“Këto 27 raste që ne i kemi analizuar, njërën prej pikave që kemi pasur për bazë gjatë shqyrtimit të këtyre rasteve e kemi pasur edhe çështjen e caktimit të shqyrtimit fillestar. Pasi ngritët një aktakuzë afati 30-ditor është që gjykata të mbajë seancën e parë të shqyrtimit fillestar të aktakuzës” – ka thënë Berisha.

“Ajo çka rezulton nga këto 27 raste që ne i kemi analizuar del që në shumicën e rasteve vonesat kanë qenë me vite, pra nga gjitha këto raste vetëm tri raste janë trajtuar brenda aftit 30-ditor, ndërsa 27 rastet tjera kanë pasur vonesa prej të cilave 7 raste kanë qenë vonesa të cilat kanë zgjatur më shumë se dy vite. Ndërsa, 6 raste të tjera pritja ka qenë më e gjatë se një vit” – ka deklaruar zyrtari ligjor i BIRN-it.

Sipas tij, kjo çështje tregon më së miri se këto raste po neglizhohen nga gjykatat në përditshmëri.

“Është e pritshme që një rast të ketë vonesa në një muaj, dy muaj apo tre muaj, mirëpo kur shohim se ka dy vite dhe nuk caktohet shqyrtimi fillestar i aktakuzës atëherë me të vërtetë që lë shumë për të dyshuar se diçka në ato raste nuk është duke shkuar në rregull” – ka përmbyllur Berisha.