
Kosova me vetëm 35 inspektorë të punës
Vetëm tetë inspektorë ka arritur Inspektorati i Punës t’i rekrutojë gjatë vitit 2022, duke çuar në 35 numrin e inspektorëve në kuadër të këtij institucioni.
Hekuran Nikçi, Kryeinspektor i Punës, i ftuar në emisionin “Kallxo Përnime” tha se nuk kanë mundur të shpallin konkurs jashtë shërbimit civil për shkak të Ligjit për zyrtarët publikë.
Në konkursin që ka qenë i shpallur për 27 inspektorë, sipas Nikçit janë rekrutuar vetëm tetë për shkak të mosinteresimit të zyrtarëve për këtë pozitë.
“Nuk ka interesim brenda shërbimit civil. Nuk ka interesim nga punonjësit e administratë shtetërore”- tha ai.
Nikçi tha se do të jetë sfidë rritja e numrit të inspektorëve të punës me Ligjin aktual dhe e sheh problematik një gjë të tillë.
Në emisionin “Kallxo Përnime” është duke u diskutuar për raportin mbi të drejtat e punëtorëve “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtoreve nga Inspektorati i Punës dhe Gjyqësori”.
Vetëm 1% e bizneseve në Kosovë kanë kryer vlerësimin e rrezikshmërisë në punë.
Kryeinspektori tha se bizneset e kanë obligim që ta kenë certifikatën e vlerësimit të rrezikshmërisë në punë.
Kastriot Berisha nga Zyra Ligjore e BIRN-it tha se numri i vogël i inspektorëve ka bërë që të ketë shumë pak inspektime në këtë aspekt.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në zgjedhjet e vitit 2021 kishte premtuar pesëfishim të numrit të inspektorëve.