Berisha: Nga 27 raste të analizuara, Udhëzuesi i politikës ndëshkimore është zbatuar vetëm në tri

Kastriot Berisha nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka folur rreth zbatimit të Udhëzuesit të politikës ndëshkimore për të cilin ka thënë se nga 27 raste të analizuara, ky Udhëzues është zbatuar vetëm tre herë.

Këtë ai e ka thënë në “Kallxo Përnime” ku po transmetohet pjesa e dytë të emisionit për sigurinë e punëtorëve dhe vdekjen e punëtorëve në vendin e punës.

“Ajo çka konstaton raporti është që vetëm në tri raste është zbatuar Udhëzuesi i politikës ndëshkimore. Pra, prej 27 rasteve të cilat ne i kemi analizuar vetëm në tri raste është zbatuar ky Udhëzues. Është me të vërtetë e çuditshme qysh vazhdojnë gjyqtarët akoma katër vite prej kur ka hyrë në fuqi ky Udhëzues të neglizhohet. Mirëpo, ajo çka do të dëshironim si shoqëri civile të dinim është nëse këta gjyqtarë kanë për t’u përgjigjur për zbatimin e këtij Udhëzuesi, apo nëse performanca e tyre do të matet me zbatimin e këtij Udhëzuesi?” – tha Berisha.

Ai po ashtu përmendi se Udhëzuesi është i obligueshëm edhe për prokurorë dhe se prokurorët obligohen që të parashtrojnë në çdo rast rrethanat rënduese që mund të ekzistojnë në një rrethanë konkrete.

Sipas Berishës, në shumicën e rasteve nuk ka pasur rrethana rënduese që janë propozuar nga prokurori i shtetit për vlerësimin me rastin e shqiptimit të dënimit.

“KGJK dhe KPK duhet që jo vetëm këto raste mirëpo në përgjithësi të shikojnë zbatimin e këtij udhëzuesi, pasi është mënyra më e mirë që të arrihet qëllimi i dënimit, përmes uljes në një mënyrë, diskrecionit të gjyqtarëve sepse diskrecioni në Kosovë është shumë i lartë, parashihen dënime nga një vit deri në 10 vite burgim, çka lejon mundësinë që çdo herë të shqiptohen dënime minimale” – potencoi Berisha.

Ai tutje tha se në këtë rast më e mira është që të shqyrtohet mundësia që ky Udhëzues të jetë i obligueshëm për gjyqtarët në ndonjë lloj forme.

‘Pikërisht mendoj që metoda më e mirë në këtë drejtim është kjo të bëhet përmes vlerësimit të performancës së gjyqtarëve”- vijoi ai.