Berisha: Inspektorati i Punës nuk dërgon kallëzime penale në prokurori

Kastriot Berisha nga Zyra Ligjore e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) dhe autor i raportit “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtoreve nga Inspektorati i Punës dhe Gjyqësori” , e ka konsideruar të çuditshëm faktin që Inspektorati i Punës nuk dërgon kallëzime penale në prokurori për gjetjet dhe shkeljet gjatë inspektimeve të bizneseve.

Berisha tha se nuk është ‘çështje dëshire’ parashtrimi i kallëzimit penal në prokurori por obligim.

“Inspektorati i Punës nuk ka parashtruar kallëzime penale në institucionet e drejtësisë, në këtë rast në prokurori. Një çështje e tillë është mjaft e çuditshme pasi që është obligim ligjor i çdo zyrtari që kur has në ndonjë vepër penale ta raportojë atë. Pra kur zyrtari është në dijeni të një vepre penale dhe nuk e lajmëron atë atëherë edhe ai kryen vepër penale”- tha Berisha.

Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, tha se nuk ka qenë praktikë e Inspektoratit të Punës dërgimi i çështjeve në prokurori.

Ndërsa është arsyetuar edhe me numrin e vogël të stafit të Zyrës Ligjore të Inspektoratit të Punës.

“Inspektorati i Punës nuk ka dërguar kallëzime penale sepse nuk ka qenë praktikë. Momentalisht në zyrën ligjore kemi pak staf dhe jemi të koncentruar që të rrisim edhe këtë staf”- theksoi Nikçi.

Ndërsa Ilir Murtezaj, drejtor i ATK-së, tha se ata e kanë praktikë dërgimin e gjetjeve nga inspektimet në terren në prokurori.

“Përveç ndaj bizneseve ne dërgojmë kallëzime penale në prokurori edhe ndaj vetë punëtorëve të ATK-së”- tha mes tjerash Murtezaj.