Aksidentet në vendin e punës, a po respektohet Udhëzuesi i politikës ndëshkimore nga gjykatat e vendit?

Fahret Velija, përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka folur në emisionin “Kallxo Përnime” rreth Udhëzuesit të politikës ndëshkimore, sidomos në rastet e aksidenteve të punëtorëve në vendin e punës. Ai tha se kanë formuar një komision konsultativ.

“Ne si Këshill Gjyqësor i Kosovës përmes një ndihme ose udhëzimi të Gjykatës Supreme kemi bërë edhe një Udhëzues për politikën ndëshkimore. A respektohet ajo në praktikë? Mbetet çështje për t’u diskutuar, por ajo çka është e rëndësishme për ta monitoruar këtë zbatim të kësaj strategjie, kemi një komision konsultativ të veçantë në krye të të cilit është vetë kryetari i Gjykatës Supreme. Në kohën e fundit janë shpeshtuar takimet e këtij grupi. Ne presim që në një të ardhme shumë të shkurtër që ta shohim rezultatin e zbatimit të këtij Udhëzuesi” – u shpreh Velija, i cili deklaroi se sipas raportit të publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN dhe Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC vërehet se në shumicën e rasteve ky Udhëzues nuk është respektuar

“Siç mund ta shohim edhe në raport, në disa raste ose në shumicën e rasteve ky Udhëzues nuk është respektuar, andaj ne do ta shqyrtojmë në diskutim edhe me këtë komision të përshpejtohet puna e këtij komisioni që monitorimi i zbatimit të këtij udhëzuesi në praktikë të jetë më funksional”- tha ai.

“Besoj që në një kohë sa më të shkurtër do të shohim edhe rezultatet e këtij Udhëzuesi me vetë faktin që sipas raportit, pa hyrë në detaje del që kemi moszbatim të këtij Udhëzuesi për politikën ndëshkimore. Besoj që në një të ardhme sa më të shkurtër do të përmirësohet kjo gjendje” – shtoi Velija.

I pyetur se pse nuk po zbatohet udhëzimi ai tha se po mbahen vazhdimisht takime dhe për këtë do të bëjnë monitorim nëse zbatohet udhëzimi për politikë ndëshkimore.

“Ne i kemi ftuar, disa herë kemi mbajtur edhe takime  të përbashkëta me krejt gjyqtarët në republikën e Kosovës. Fillimisht janë mbajtur takime ky është propozuar ky udhëzues më pas janë mbajtur takime ku domosdoshmërish duhet të zbatohet” –  deklaroi ai.

“Ne e kemi edhe parimin, ajo çka gjyqtarët zakonisht thirren është edhe pavarësia në vendimmarrje të një gjyqtari ku ndoshta disa prej tyre potencojnë se preket kjo pavarësia edhe pse ne nuk mendojmë ashtu. Prandaj edhe e kemi shtuar këtë udhëzues. Ajo çka vlen të theksohet është që ne do të fillojmë me monitorimin. Ata që nuk e  zbatojnë, do ta shikojmë mundësinë përmes rekomandimeve të ndryshme se si mund të ketë ky udhëzues sa më shumë  efekt në zbatim ,në praktikë çdo ditore”-shtoi Velija tutje.