Prokurorja Grantolli: Shqetësues numri i punëtorëve të vdekur në vendin e punës

Në emisionin “KALLXO Përnime” po transmetohet diskutimi për çështjen e sigurisë së punëtorëve dhe vdekjes së tyre në vendet e punës.

Teksa është potencuar se në vitin e fundit janë afërsisht 20 vdekje nnga aksidentet në vendin e punës, Jehona Grantolli, prokurore në Prokurorinë e Prishtinës dhe anëtare e Këshillit Prokurorial të Kososvës (KPK), e ka cilësuar shqetësues një numër të tillë.

“Mund të them se Prokuroria Themelore por edhe çdo prokuror i shtetit është i varur nga informacionet dhe të gjitha provat që duhet t’i sigurojë gjatë hetimit. Është e vërtetë, është shqetësuese një numër kaq i madh i vdekjeve dhe më besoni që vetë kur punojmë në zyrat tona kemi raste tejet të ndjeshme mirëpo rastet gjithmonë mundohemi t’i trajtojmë me profesionalizëm dhe ashtu siç kërkohet sipas ligjit” – ka thënë Grantolli.

Sipas saj, në këto raste ka mundësi që të kenë munguar edhe raportet e inspektorëve por edhe raportet tjera, përfshirë edhe atë të autopsisë.

“Për këtë arsye po them që ndoshta në këto raste ka mundësi që të kenë munguar edhe raportet e inspektorëve që për neve janë shumë me rëndësi por edhe raportet e tjera për shembull siç është raporti i autopsisë ose prova të tjera që një prokuror duhet t’i marrë parasysh me rastin e vendosjes për rastin e tij, sepse nëse thuhet që janë 20 vdekje është vërtetë shqetësuese” – ka shtuar ajo.

Ajo tutje ka potencuar se secila prej këtyre vdekjeve dhe secili prej këtyre rasteve duhet të trajtohet me profesionalizëm, me sigurinë për të arritur deri te vërtetimi i plotë i gjendjes faktike dhe dyshimi i bazuar mirë për ta akuzuar një person dhe për ta dërguar pastaj rastin në gjykatë.

Grantolli gjithashtu bëri thirrje që rastet të raportohet edhe përmes Policisë jo vetëm përmes Inspektoratit të Punës.