Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

AIP urdhëron Ministrinë e Drejtësisë ta largojë nga Facebook njoftimin me të dhëna personale të ankuesit

Agjencia për Informim dhe Privatësi më 26 dhjetor 2022 kishte pranuar një ankesë në të cilën ankuesi ka shprehur shqetësimin në lidhje me atë se Ministria e Drejtësisë ka publikuar në Facebook vendimin e datës 8 dhjetor 2022 të Komisionit Disiplinor të Institutit për Mjekësi Ligjore me të dhëna personale (emër dhe mbiemër) të tij lidhur me pezullimin nga puna, duke mos anonimizuar këto të dhëna.

Agjencia e ka aprovuar si të bazuar këtë ankesë.

Baza ligjore për përpunimin e të dhënave personale është e lidhur ngushtë me qëllimin e përpunimit dhe kështu parimi i kufizimit të qëllimit luan një rol të rëndësishëm për të siguruar që përpunimi të ketë bazën e duhur ligjore.

‘’Përpunimi i të dhënave personale duhet të jetë adekuat, relevant dhe i kufizuar (minimizuar) në atë që është e nevojshme në lidhje me qëllimet për të cilat ato përpunohen’’ – thuhet në vendimin e AIP-së.

Sipas AIP-së, në rastin konkret, kontrolluesi i të dhënave përveç se nuk ka bazën e duhur ligjore për publikim të vendimit të tillë në rend të parë, me këtë publikim ka cenuar edhe dinjitetin e subjektit të të dhënave pasi që pas vendimit të masës disiplinore të marrë nga komisioni disiplinor, pala ankuese ka pasur të drejtë ankese dhe vendimi i publikuar nuk konsiderohet përfundimtar meqë nuk është përfunduar procedura sipas legjislacionit përkatës.

Përveç kësaj, Ligji për qasje në dokumente publike përcakton se cilat dokumente duhet të jenë publike në ueb-faqen zyrtare të institucioneve publike. Gjithashtu përcakton se AIP përkujdeset edhe për aspektet përmbajtjesore të ueb-faqes të institucionit publik, ndërsa Agjencia e Shoqërisë së Informacionit kujdeset për aspektet teknike të hostimit.

Sipas këtij vendimi të AIP-së, publikimi i vendimeve me të dhëna personale nga kontrolluesi i të dhënave në platformën Facebook është në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, por edhe me Ligjin për qasje në dokumente publike, meqenëse rrjeti social në platformën Facebook nuk hostohet në serverët e Qendrës Shtetërore të të Dhënave të Republikës së Kosovës.

Ministria e Drejtësisë është urdhëruar që të largojë nga publikimi në platformën Facebook këtë vendim.

Ky vendim ishte marrë nga AIP më 9 qershor 2023.

Ministria e Drejtësisë ka pasur 8 ditë nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të njoftojë Agjencinë për veprimet e ndërmarra për zbatimin e këtij vendimi.

Lidhur më këtë çështje, KALLXO.com ka kërkuar informacion nga Ministria e Drejtësisë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.