Ahmeti: Mos të ndjellim urrejtje, mund të punojmë që të jetë vetëvrasja e fundit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka kërkuar që pas vdekjes së 26 vjeçarit nga Gjilani në Qendrën e Studentëve të mos ndjellet urrejtje por të punohet që të jetë e fundit, sidomos në kohë pandemie.

Me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook” Ahmeti ka shkruar se të kërkohet hetim e përgjegjësi është e drejtë por jo të ketë sulme të vrullshme.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Ahmetit:

Aman, mos ndjellni edhe më shumë urrejtje e ndasi. Qëndroni familjes pranë sa më shumë. Kjo nuk është vetëvrasja e parë, por mundemi me punu me qenë e fundit në këtë pandemi.

Depresioni është sëmundje me të cilin shumica prej nesh jemi ballafaqu. Prandaj edhe duhet të trajtohet e të ndihmohet çdo person që mund të shfaq simptome.

Le të kërkohet hetim e përgjegjësi, por me këtë vrull të sulmeve po duket thua se kemi kërkuar që diçka të shkoj keq. Po shpresoj se e kuptojnë dyja palët që lufta e pakursyer politike në kohë pandemie mund të ketë pasoja të rënda.

Ngushëllime familjes e shpresoj se e gjejnë forcen me përballu këtë humbje të madhe.

26 vjeçari A. M nga Gjilani i ardhur nga Gjermania dy ditë më parë, gjatë ditës së djeshme është gjetur në oborr të njërës nga konviktet e Qendrës së Studentëve e cila tani po funksionon si karantinë.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së djeshme se një person ka vdekur pasi dyshohet se ka rënë nga një prej konvikteve në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Gjatë ditës së sotme Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të vdekjes së 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Pas ngjarjes tragjike të shumta kanë qenë edhe reagimet e zyrtarëve publik si dhe subjekteve politike.

Vetë Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia pas ngjarjes ka thënë se po mendon dorëheqjen.

Këshilltari i Presidentit Thaçi, Adil Behramaj ka publikuar një fotografi të marrë nga mediat ku shihet se 26 vjeçari posedonte një dokument i cili tregonte për gjendjen e tij shëndetësore.

Behramaj ka shkruar se Ministria Vitia ka gënjyer kur ka thënë se 26 vjeçari ka poseduar një dokument të tillë.