AGK: Kuvendi të përmirësojë Projektligjin për KPM-në pas qortimit nga Këshilli i Europës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të përmirësojë Projektligjin për KPM-në pas opinionit ligjor të Këshillit të Europës lidhur me ketë projektligj.

Përmes një reagimi, AGK ka theksuar se KiE ka konfirmuar që disa aspekte të projektligjit nuk janë në përputhje me standardet më të mira europiane.

“Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Europës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative”- thuhet në reagim.

AGK tutje ka theksuar se shpreh keqardhje për atë që e kanë quajtur ‘qortim’ që i është bërë shtetit të Kosovës nga ana e Këshillit të Europës.

Sipas AGK-së, qortimi është rezultat i tendencës së qeverisë dhe shumicës parlamentare për të kontrolluar mediat dhe rregullatorin e mediave (KPM) përmes këtij projektligji dhe refuzimit të qëllimshëm të Zyrës së Kryeministrit për të përfshirë industrinë e medias dhe shoqërinë civile në fazat e hershme të nismës legjislative.

“Sipas KiE-së, mediat online që publikojnë video nuk duhet të rregullohen njëjtë sikur televizionet dhe radiot dhe atyre mund t’iu kërkohet të regjistrohen në KPM vetëm nëse për to ka përfitime si për shembull: qasje në fonde publike, mbëshetetje apo akreditim i gazetarëve”- thuhet në reagim.

Ndërsa është theksuar se opinioni i KiE-së konfirmon qartë shqetësimin e ngritur nga AGK-ja se licensimi apo regjistrimi i mediave online që publikojnë video, i shoqëruar me obligimin për të kërkuar leje nga KPM-ja për ndryshimin e pronësisë dhe mundësinë e gjobitjes deri në 40,000 euro, nuk është në pajtim me standardet europiane.

Tutje AGK-ja e ka përshëndetur bashkëpunimin dhe gatishmërinë e Këshillit të Europës, Bashkimit Europian dhe OSBE-së që të ofrojë ekspertizë ndërkombëtare dhe ka shfaqur shpresën se do të ketë vullnet politik për përmirësimin e projektligjit deri në atë masë sa të jetë plotësisht në përputhje me standardet me të mira europiane.

AGK ka përmendur edhe tjera cështje të ngritura nga Këshilli i Europës, përfshirë nenin që ka të bëjë me hapjen e televizioneve dhe radiove nga partitë politike dhe bashkësitë fetare.

Sipas Asociacionit, largimi i nenit që ndalonte licensimin e televizioneve dhe radiove nga partitë politike është një kthim prapa në standardet tashmë të vendosura në Kosovë.

“Duke iu referuar disa instrumenteve ndërkombëtare, opinioni rekomandon fuqishëm që të rikthehet neni që ua ndalonte partive politike të drejtën e hapjes së televizioneve dhe radiove.Në lidhje me bashkësitë fetare, opinioni citon një rekomandim të Këshillit të Europës sipas së cilit, shtetet duhet të përcaktojnë korniza ligjore që ua ndalojnë grupeve të fuqishme politike, ekonomike apo fetare që të fitojnë dominim në media dhe të ushtrojnë presion në to”- thuhet në reagim.

Ndërsa tutje në reagim thuhet se sipas opinionit ligjor, është e paqartë deri në çfarë mase janë konsultuar akterët kryesorë gjatë draftimit dhe nëse ka pasur shpjegime për pranimin ose jo të vërejtjeve të tyre.

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal po e shqyrton Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Misioni i OSBE në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së e kanë mirëpritur opinionin ligjor të përgatitur nga Këshilli i Europës  për Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Përmes një postimi në Facebook, OSBE ka deklaruar se e mbështet qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e Shërbimeve Audio-Vizuale.

“Megjithatë, siç thekson raporti i KiE-së, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai të mos e minojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”- është thënë nga OSBE.

Më 26.04.2024, Komisioni për Media ka nisur shqyrtimin në lexim të dytë të projektligjit për KPM-në.

OSBE për Projektligjin për KPM-në: Komisioni për Media të jap kohën e nevojshme për shqyrtim të duhur