AGK: Ekipi i T7 kërcënohet me armë zjarri në Leposaviq
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) njoftoi se të mërkurën pati një incident serioz në veri të Kosovës ndaj një ekipi të televizionit T7.
AGK thekson se gazetari Unitet Berisha dhe kameramani Përparim Gashi kishin shkuar të raportonin për një kontrabandë që e ndaloi Policia në fshatin Jashanicë, kur gjatë rrugës 3 persona të armatosur me një veturë u janë vënë në ndjekje.
Tutje, bëhet e ditur se gjatë gjithë kohës personat u kanë drejtuar armën ekipit të T7 dhe u kanë kërkuar të ndalin makinën.
“Gazetari Unitet Berisha edhe kameramani Përparim Gashi kanë shkuar sot në Leposaviq për të raportuar për një kontrabande të cilën e ndaloi Policia e Kosovës në fshatin Jashanicë, mirëpo gjatë rrugës për në këtë fshat një veturë me 3 persona të armatosur brenda është vënë në ndjekje të ekipit të televizionit. Gjatë gjithë kësaj kohe nga vetura me targat GM-074-NO, personat brenda ia kanë drejtuar armën ekipit të T7 duke kërkuar nga ekipi që të ndalin veturën. Ndjeka e tyre ka përfunduar vetëm në momentin kur janë afruar pikës në të cilën qëndron Njësia Speciale e Kosovës”- thuhet në njoftim.
“Ekipi i T7 ka dhënë dëshmi në stacionin policor në Zveçan”- thekson më tej AGK.
Asociacioni i Gazetarëve e ka dënuar ashpër sulmin dhe alarmoi për pasigurinë me të cilën ballafaqohen ekipet e gazetarëve që shkojnë nga Prishtina për të raportuar në veri.
AGK-ja ftoi organet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë që të shtojnë përpjekjet e tyre për të ofruar sigurinë e nevojshme që gazetarët ta kryejnë punën e tyre të parrezikuar.
Gjatë muajve të fundit me rritjen e tensioneve në veri të vendit janë raportuar disa raste të sulmit e kërcënimeve ndaj gazetarëve që raportojnë nga kjo zonë.