AGK dënon ashpër pengimin e ekipit të Klan Kosovës në palestrën 'Shani Nushi' në Gjakovë

Asociacioni  i Gazetarëve të Kosovës e ka quajtur të papranueshme dhe trysni mos lejimin e ekipit realizues të Klan Kosovës për të hyrë në palestrën “Shani Nushi”, në Gjakovë dje rreth orës 17:00.

Në “Shani Nushi” dje është luajtuar ndeshja në mes klubeve basketbollistike, Vllazini-Trepça.

Sipas njoftimit të AGK-së, Drejtorit të  Programit të Sportit në Klan Kosova, Agon Fehmiu dhe ekipit të tij  i është refuzuar hyrja në palestër nga përgjegjësi i saj, duke u përcjellë me ofendime dhe kanosje.

“Pas kontakteve me zyrtarë të FBK-së dhe KB Vllaznimit për raportimin e rastit, fillimisht në palestër ka arritur zyrtari i KB Vllaznimit, por pavarësisht nga prezenca e tij sjelljet kërcënuese dhe fyerjet e zyrtarit të sallës në drejtim të ekipit realizues nuk janë ndërprerë. Ndërkohë, me thirrje të KB Vllaznimit për asistencë policore, patrulla e Policisë së Kosovës ka arritur në palestër rreth orës 18:30 minuta, që ishte vonë dhe ka pamundësuar realizimin e transmetimit e ndeshjes së basketbollit”, ka thënë për AGK-në Fehmiu.

Në lidhje me këtë , Asociacioni i Gazetarëve ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se incidenti ka ndodhur pasi që ekipi realizues i Klan Kosovës ka tentuar të hyjnë në palestër dy orë para ndeshjes.

“Patrulla policore i është përgjigjur rastit, ka kontaktuar më të dy palët e përfshira në mosmarrëveshje dhe nga personeli i sigurimit ka marrë njohuri se ekipi xhirues i “KLAN KOSOVA”, ka tentuar të hyjë në brendi të qendrës dy orë më parë para kohës së caktuar. Të njëjtëve i është pamundësuar hyrja dhe nga kjo ka lindur mosmarrëveshja verbale. Patrulla policore ka kontaktuar dhe shefin e ekipit të televizionit që ishte prezent, dhe nga ai kanë pranuar deklarim të njëjtë mbi moslejimin e tyre të hyrjes dy orë para, por më pastaj iu është lejuar hyrja, dhe kjo ekipë ka refuzuar të hyjnë dhe janë larguar nga aty”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Nga Policia  kanë  shtuar se për çështjen në fjalë nuk ka inicuar rast për çka AGK-ja u ka bërë thirrje organeve kompetente që të marrin masa ndaj sjelljes së përgjegjësit të kësaj palestre.