Agim Çeku nesër në Hagë intervistohet si i dyshuar

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, nesër do të interevistohet nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Intervistimi i tij pritet të fillojë rreth orës 10:00.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com avokati Artan Qerkini.

Çeku më 3 shtator kishte konfirmuar për KALLXO.com se është ftuar për intervistim në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale.

“Po është e vërtetë. Jam ftuar për t’u intervistuar në cilësinë  e të dyshuarit. Do të udhëtoj më 28 shtator”, ka thënë ai.

Kujtojmë se Specialja ka njoftuar se presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, janë akuzuar për krime lufte.

Ndërkaq të premten nga kjo Gjykatë janë arrestuar edhe Hysni Gucati e Nasim Haradinaj nga organizata e Veteranëve të UÇK-së.