Agim Aliu në krye të Asociacionit të Komunave të Kosovës

Në Kuvendin e Përgjithshëm të Asociacionit të Komunave të Kosovës që është mbajtur sot, është zgjedhur bordi dhe kryetari i ri për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Me shumicë votash dhe në bazë të formulës sipas komunave të fituara, kryetari i ri i AKK-së është zgjedhur Agim Aliu. Aliu është kryetar i Komunës së Ferizajit.

Ndërsa anëtarë të Bordit u zgjodhën: Imri Ahmeti – Kryetar i Komunës së Lipjanit, Shaqir Totaj – Kryetar i Komunës së Prizrenit, Bali Muharremaj – kryetar i Komunës së Suharekës, Xhafer Gashi – Kryetar i Komunës së Obiliqit, Sokol Haliti – kryetar i Komunës së Vitisë dhe Dragan Petkovic – Kryetar i Komunës së Parteshit.

Poashtu Kuvendi i Përgjithshëm i AKK-së me shumicë votash ka aprovuar raportet vjetore të vitit 2021 dhe planet për vitin 2022.

Në këtë takim të Kuvendit janë diskutuar edhe tema të lobimit në interes të qeverisjes lokale në Republikën e Kosovës.