Lirimi i talebanëve - Foto: AFP

Afganistani liron 900 talebanë dhe shpreson zgjatjen e armëpushimit

Qeveria afgane ka liruar rreth 900 talebanë të burgosur sot, duke shpresuar se kështu do të inkurajojë kryengritësit ta zgjasin armëpushimin treditor të cilin e kanë shpallur në tërë Afganistanin dhe që përfundon sonte në mesnatë.

Një gazetar i AFP-së ka qenë i pranishëm në momentin e lirimit të rreth 100 të burgosurve nga burgu i Bagramit, nja 60 km larg Kabulit.

“Jam shumë i lumtur që u lirova tani. Do t’i bashkohem familjes pas tetë vitesh”, ka thënë Abdul Wasi, 27-vjeçar, i cili është nga province jugore e Kandaharit, raporton AFP.

“Ne dëshirojmë një armëpushim të përhershëm në vend”, ka shtuar ai. “Nëse trupat e huaja largohen, ne nuk do të luftojmë më“.

Në përgjithësi, rreth 900 të burgosur janë liruar sot, sipas oficerit Nazifullah Walizada, i cili mbikëqyrte operacionin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Kryengritësit, të cilët që prej disa javësh kanë shtuar sulmet vrastare kundër forcave afgane, kanë befasuar të shtunën kur shpallën, njëanshëm, ndërprerjen e luftimeve në mënyrë që bashkëqytetarët “të mund të festojnë në paqe dhe rehati Fitër Bajramin”.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani, e ka pranuar menjëherë këtë ofertë.