Afganistan: Nuk ka taksi për gratë pa burka

Vetëm shamia nuk mjafton: Talibanët po i ndëshkojnë shoferët e taksisë për transportimin e grave të pambuluara me burka. Si rezultat, gjithnjë e më pak gra po udhëtojnë nëpër qytete.

Fereydun, një shofer me motor nga Herati në Afganistanin perëndimor, nuk transporton më gra. Nëse ai vendosë të transportojë gra që nuk i kanë të mbuluara pjesën e plotë të trupit, i njëjti do të rrihej nga talebanët dhe do t’i konfiskohej rikshaja, thotë Fereydun për DW.

Ai tashmë është dashur të jetë dëshmitar i poshtërimit të grave. Talebanët e kanë ndaluar disa herë dhe kanë nxjerrë nga automjeti femrat që nuk mbanin burka duke i sharë dhe duke bërtitur. Fereyduni thotë se edhe ai është dënuar.

Sulm ndaj të drejtave të grave

Pothuajse dy vjet qyshkur talebanët islamikë militantë morën pushtetin ndërkohë që NATO, fatkeqësisht, u tërhoq, gratë në Afganistan ende po u rezistojnë urdhrave.

Shumë prej tyre refuzojnë të veshin burka dhe ende ecin në rrugë me fytyrat e tyre të zbuluara. Vitin e kaluar, udhëheqësi taleban Hibatullah Akhundzada urdhëroi gratë që t’i fshehin plotësisht fytyrat e tyre në publik “pasi kjo është tradicionale dhe respektuese”, sipas dekretit të lëshuar në maj të vitit 2022.

Kur talebanët erdhën në pushtet në gusht të vitit 2021, ata u zotuan të respektojnë të drejtat e grave. Që atëherë, gratë janë përjashtuar nga shumica e profesioneve dhe janë ndaluar t’i ndjekin universitetet ose institucionet e arsimit të lartë.

Kohët e fundit, edhe sallonet e bukurisë u ndaluan në këtë vend. Për gratë që ende guxojnë t’i shfaqin fytyrat e tyre në publik, presioni është në rritje e sipër.

Dëshmitarët okularë në Afganistan raportojnë se Ministria e Talibanëve për Përhapjen e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve e ka pozicionuar policinë e moralit në të gjithë qytetet e mëdha.

Ndër të tjera, ministria i ka udhëzuar që ngasësit e taksive si dhe ngasësit e automjeteve të tjera të pasagjerëve se nuk mund të transportojnë më femra që nuk mbajnë hixhab brenda qyteteve.

“Kur gratë udhëtojnë, ato duhet të shoqërohen nga një burrë”, tha për mediat Akif Mohajer, përfaqësues i Ministrisë së Zëvendës dhe Virtytit.

“Kur ata udhëtojnë brenda qytetit, asnjë burrë nuk lejohet të ulet pranë tyre dhe ato duhet ta mbajnë një hixhab të plotë. Nuk ka rëndësi nëse ato mbajnë çadër apo jo – hixhabi i tyre duhet të jetë plotësisht islamik”.

Çfarë saktësisht përbën një “hixhab i plotë islamik” nuk duket të përcaktohet qartë. Dina, një grua nga Herati, thotë se ajo ishte hequr nga taksitë disa herë dhe ishte fyer pse kishte veshur një pallto të gjatë dhe shami në vend të një mbulese të plotë të trupit.

Këtë në një intervistë për DW e ka konfirmuar edhe Mirza, shofer taksie nga Kabuli. Talebanët i kishin thënë disa herë se gratë pa mbulesë apo burka nuk lejohen të hipnin në taksi, përndryshe ai do të ndëshkohej dhe do t’i konfiskohej taksia.

Presioni i grave ndaj hapësirave publike

Qëllimi kryesor i këtyre masave është që të largohen gratë nga syri i publikut, sipas Maryam Marof Arwin, themeluese e një organizate të mirëqenies për gratë dhe fëmijët në Afganistan.

“Me kufizimet e fundit, talebanët kanë treguar se po i përmbahen politikave që kanë zbatuar në periudhën e tyre të parë në pushtet, me përjashtim të faktit se tani po i eleminojnë në mënyrë sistematike dhe specifike gratë nga shoqëria”, thotë ajo.

Gjatë qeverisjës së parë të talebanëve midis viteve 1996 dhe 2001, ata ishin të njohur për trajtimin e tyre poshtërues ndaj grave. Në atë kohë, gratë detyroheshin të mbanin burkën në publik, nuk lejoheshin të dilnin nga shtëpia pa një shoqërues mashkull, dhe u ndalohej të kontrolloheshin nga mjekët meshkuj, duke rezultuar që shumë sëmundje të mos trajtoheshin. Ekspertët paralajmërojnë se talebanët tani po përpiqen ta kthejnë kohën prapa duke mos menduar për pasojat.

Në muajin shkurt, talebanët dolën me vendim se studentet femra të mjekësisë nuk do të lejohen t’i japin provimet e tyre përfundimtare. Ata tashmë i kishin ndaluar gratë të ndiqnin universitetet qysh në dhjetor të vitit 2022.

Në çdo bisedë, gratë në Afganistan thonë se bota nuk duhet të qëndrojë duarkryq. Ata kanë nevojë për mbështetjen dhe solidaritetin e komunitetit botëror./Deutsche Welle

Përgatiti: Nuhi Shala