Talebanët i mbyllin sallonet e flokëve dhe të bukurisë në Afganistan

Sallonet e flokëve dhe bukurisë në të gjithë Afganistanin do të mbyllen në javët e ardhshme me urdhër të talebanëve.

Kjo mbyllje do të çojë në humbjen e rreth 60,000 vendeve të punës.

Sallonet ishin lejuar të vazhdonin së funksionuari që kur talebanët e rimorën pushtetin dy vjet më parë, por ky pozicion ndryshoi muajin e kaluar.

Vendimi mbi mbylljen e salloneve të flokëve dhe bukurisë i kufizon më tej hapësirat e hapura për gratë afgane, të cilave tashmë u është ndaluar hyrja në klasa, palestra dhe parqe.

23-vjeçarja Zarmina ishte në një sallon bukurie duke i lyer flokët e saja, kur lajmi për mbylljen e salloneve të lartcekura po afrohej.

“Pronarja pësoi tronditje të madhe dhe filloi të qajë. Ajo është mbajtësja e familjes së saj,” – thotë nëna e dy fëmijëve.

Zarmina jeton në Kandahar në Afganistanin jugor, kështjella konservatore e talebanëve ku banon lideri suprem.

Ajo thotë se është e zakonshme këtu që burrat t’i ndalojnë vajzat e tyre të bëjnë grim ose të shkojnë për një trajtim bukurie.

“Shumica e grave ecin me burka ose hixhab këtu. Ne e kemi pranuar atë si pjesë të kulturës sonë.”

Zarmina u martua në moshën 16-vjeçare e cila thotë se një bisedë me estetisten ishte e mjaftueshme për t’i dhënë asaj një ndjenjë të rrallë lirie.

“Nuk më lejuan të largohesha nga shtëpia ime, mirëpo arrita ta bindja burrin tim dhe më lejuan ta vizitoja sallonin e bukurisë dy ose tri herë në vit”.

Ajo shkonte në sallon me një grua nga lagjja e saj, duke krijuar një miqësi të thellë me një nga punëtorët e saj.

“Në të kaluarën, gratë flisnin për mënyrat për të ndikuar tek burrat e tyre. Disa ishin të hapura mbi pasiguritë që kanë ato.”

Megjithatë, kriza ekonomike ishte futur gradualisht në jetën e tyre pasi talebanët rimorën pushtetin në gusht të vitit 2021 pas tërheqjes së forcave amerikane nga ky vend.

Që nga ajo kohë, liritë e grave janë tkurrur në mënyrë të vazhdueshme dhe gratë e atjeshme flasin vetëm dhe kryesisht për papunësinë, diskriminimin dhe varfërinë./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala