Ilustrim

Afera e 2 milionëshit, Apeli vërteton aktgjykimin dënues

Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin e ka vërtetuar aktgjykimin dënues ndaj të akuzuarve në rastin e aferës së dy milionëshit.

Gjykata Themelore e kishte dënuar  Labinot Grudën me dënim unik, dënim me burg në kohëzgjatje prej 11 viteve dhe dënim me gjobë në vlerën 8500 euro. Po ashtu i  ishte shqiptuar dënimin plotësues me të cilin ia ndalon ushtrimin e punëve në funksion publik.

Ndërsa, të pandehurin Kadri Shala gjykata e dënoi me dënim unik, dënim me burg në kohëzgjatje prej 10 viteve dhe dënim me gjobë në vlerë 33 mijë euro. Gjykata në shpallje të vendimit kishte njoftuar se e tërë pasuria e fituar në mënyrë të kundërligjshme është konfiskuar.

Labinot Gruda pati pranuar fajësinë për veprën që Prokuroria ia vë në barrë, mirëpo gjykata e kishte refuzuar pranimin e fajësisë.

Ndërsa, Kadri Shala kishte negociuar me Prokurorinë për marrëveshje për pranimin e fajësisë mirëpo nuk patën arritur një të tillë.

Të akuzuarit Labinot Gruda dhe Kadri Shala ankesat e tyre i kanë paraqitur të përfaqësuar nga avokatët Tahir Rrecaj dhe Florent Latifaj, para kolegjit të gjykatësve të Apelit, Burim Ademi kryetar i kolegjit, Vaton Dërguti në cilësinë e gjyqtarit referues dhe Afërdita Bytyqi.

Në seancën e sotme Apeli është duke i shqyrtuar ankesat e dy të dënuarve nga themelorja. Ndaj ankesës së dy të akuzuarve përgjigje ka paraqitur Prokuroria Speciale.

Gjykata e Prishtinës kishte shpallur fajtorë Labinot Grudën dhe Kadri Shalën, të akuzuar për vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com, Prokuroria Speciale ka përshkruar se më 9 tetor të vitit 2020, Kadri Shala, si person përgjegjës i kompanisë “LDA GROUP SHPK” i ka mundësuar Labinot Grudës, zyrtar në Ministrinë e Financave, që paratë nga Thesari i Shtetit në vlerë të 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove e 90 centë të transferohen në të njëjtën kompani në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas Prokurorisë Speciale, Kadri Shala ka kryer veprën penale të ndihmës e cila është ndërlidhur me veprën tjetër penale atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Dy të pandehurit, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, sipas aktakuzës nga data 9 tetor deri më 15 tetor të vitit 2020 në Prishtinë, pas marrëveshjes dhe planifikimit paraprak në bashkëkryerje kanë bërë transferimin e parave nga Thesari i Shtetit në kompaninë e personit të autorizuar Kadri Shala “LDA GROUP SHPK” ndërsa me qëllim të fshehjes së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshme, i ka ndarë rreth 2.1 milionë eurot në llogari të ndryshme bankare të personave fizikë nën arsyetimin për blerje, huazim, avance, donacione e kryerje të borxheve.

1 milion e 416 mijë e 413 euro e 64 centë Shala dyshohet se i ka transferuar në 26 kompani të ndryshme në Kosovë ndërsa 440 mijë euro i njëjti person dyshohet se i ka transferuar në llogari bankare në Turqi nën arsyetimin për pagesë të blerjes së makinerisë së betonierës dhe pompës së betonit.

Tahir Recaj, mbrojtës i Labinot Grudës ka bërë ankesa për vendimin e gjykatës së shkallës së parë mbi bazën e shkeljeve esenciale të dispozitave të Kodit të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të drejtë të gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me sanksionin penal të shkallës së parë.

Recaj tha se gjykata e shkallës së parë për Grudën nuk kishte marrë për bazë rrethana të tjera lehtësuese përpos shprehjes së keqardhjes.

“Gjykata e shkalles se parë për Labinot Grudën si rrethanë lehtësuese ka marrë vetëm shprehjen e keqardhjes së tij kurse nuk e ka marrë për bazë as edhe një rrethanë tjetër lehtësuese”- tha Recaj.

Vetë i akuzuari Gruda u deklarua se mbështet në tërësi ankesën e mbrojtësit të tij dhe i njëjti kërkoi vetëm drejtësi.

“E mbështes tërësisht, kërkojmë vetëm drejtësi”- tha Gruda para gjykatës.

Edhe Florent Latifaj, mbrojtës i Kadri Shalës ka atakuar vendimin e shkallës së parë në lidhje me vendimin ku kishte gjetur fajtor të mbrojturin e tij.

Latifaj ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë mbi bazën e shkeljeve substanciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së të ligjit penal dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënimin. I njëjti në ankesën e tij ka propozuar që të anulojë aktgjykimin e shkallës së parë, si dhe ta liroj nga akuza të mbrojturin e tij dhe çështjen ta kthej në rigjykim.

Shala mbështeti në tërësi pretendimet e mbrojtësit të tij, ndër të tjera Shala shtoi se nuk i ka dhënë asnjëherë ndihmë të akuzuarit Labinot Gruda.

“E përkrahë në tërësi fjalën mbrojtëse, e ndej veten si keqardhje për atë që ka ndodhë, çka ka ndodhë me pare të taksapagueseve të Kosovës, se s`kanë qenë as t’miat, kanë qenë edhe të miat edhe t’juvet edhe krejt këtyre njerëzve që kanë qenë këtu. Po asnjëherë, në asnjë mënyrë unë nuk i kom dhanë ndihmë as nuk kam të bëjë më i dhanë ndihmë diçka personit të akuzuarit tjetër”- tha Shala.

Ankesë në këtë rast kanë paraqitur edhe palët e treta me anë të mbrojtësve të tyre, të njëjtit kërkuan zhbllokimin e xhirollogarive dhe kthimin e sendeve të konfiskuara.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK