Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Afër 10 përqind më pak fletëvotime se votues

Qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit do të kenë mundësi të votojnë në 888 qendra të votimit.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së ka thënë për KALLXO.com se fletëvotimet kanë arritur në Kosovë dhe se nesër do të fillojë shpërndarja e tyre.

“Mund t’iu konfirmoj se fletëvotimet kanë arritur në Kosovë. Të shtunën do të shpërndahen në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndërsa të dielën në mëngjes për në 888 qendra të votimit të cilat kanë gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime”, tha Elezi.

Tutje ai ka treguar edhe për numrin e votuesve si dhe numrin e fletëvotimeve të shtypura për ditën e zgjedhjeve.

“Bazuar në Listën Përfundimtare të Votuesve, votues me të drejtë vote për këto zgjedhje janë 1 milion 794 mijë e 862 votues, ndërsa janë shtypur 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime përfshirë fletëvotimet rezervë. Rrjedhimisht i bie se janë shtypur 177 mijë e 662 fletëvotime më pak se numri i votuesve apo në përqindje 9,89 % më pak”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 14 shkurt, të dielën.