Afati i nëntorit dhe prillit me dy provime në Universitetin e Prishtinës

Senati i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e mbajtur sot ka vendosur që afati plotësues i paraqitjes së provimeve të hapet dhe të ketë dy provime në nëntor dhe prill.

Sekretari i përgjithshëm i UP,  Esat Kelmendi tha se ky vendim i senatit vlen për dy afatet plotësuese, të prillit dhe nëntorit, deri në një vendim tjetër.

“Ky afat do të hapet dhe do të vlejë për vitin akademik 2019-2020 deri në një vendim tjetër”, tha Kelmendi.

Në anën tjetër dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, tha se studentët vazhdimisht janë duke ardhur me kërkesën e njëjtë. Sipas tij senati do të duhet të vendoste njëherë dhe të definohej qartë se sa provime lejohen në afatet plotësuese.

“Kjo kërkesë është e studentëve, por është antistatutare dhe studentët çdo herë kërkojnë afat ndërsa rezultatet prej vlerësimeve lënë për të dëshiruar në shumë njësi akademike”, tha Dugolli.