Abelard Tahiri: Shpresojmë që LVV të përkrah tërheqjen e parave të Trustit

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ka bërë të ditur se në mungesë të kuorumit, sot nuk u vendos seanca e ardhshme parlamentare.

“Meqenëse kryesia nuk kishte kuroum që të përcaktojë seancat e radhës u dakorduam që vazhdimin e seancës ta kemi ditën e hënë dhe do ta përcaktojmë edhe rëndin e ditës, ku do të trajtohet çështja e trustit që t’iu jepet e drejta qytetarëve të kenë të drejta në këto mjete”, ka thënë Tahiri.

Tahiri tutje theksoi se shpreson që edhe LVV do e përkrah këtë nismë për tërheqje të parave të Trustit.

“Ne e kemi iniciuar këtë proces si rezultat i një kërkese jashtëzakonisht të madhe të qytetarëve drejtuar deputetëve. Shumica e partive janë deklaruar për përkrahje të kësaj nisme. Shpresojmë që edhe LVV të reflektojë karshi kësaj kërkese të qytetarëve, kjo nuk duhet të shihet si një betejë politike por si një angazhim i yni i përbashkët për kalim të kësaj krize”, shtoi tutje Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së foli edhe për deklarimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për këtë çështje.

Sipas tij, FMN-së nuk i intereson degradimi i mirëqenies së qytetarëve.

“Zyrtarët të FMN e kanë cilësuar gabim edhe herën e parë nismën e tillë, për ta është i rëndësishëm stabiliteti financiar, atyre nuk u bëhet vonë nëse degradon mirëqenia e qytetarëve në Kosovë. Nuk e di a po i shohin kërkesat e qytetarëve që duan të lëshojnë vendin si rezultat i pa përballimit të kostos se jetesës”, shtoi tutje Tahiri.