Abelard Tahiri: Për katër muaj nën udhëheqjen e LVV-së, Kuvendi u degradua

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri ka vlerësuar se legjislatura aktuale është më e dobëta në historinë parlamentare të Kosovës.

Sipas Tahirit gjatë këtyre 5 muajve, Kuvendi i ka miratuar vetëm 4 ligje dhe ato nuk kanë pasur të bëjnë asgjë me projektet të cilat këta i ka proklamuar Lëvizja Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore dhe që i kanë pasur në programin qeveritar.

“Gjatë tërë kësaj periudhe Parlamenti i Kosovës i udhëhequr nga kjo mazhorancë, nga Lëvizja Vetëvendosje është shndërruar në ndërmarrje të madhe për punësime familjare. Këtu janë votu shumë familjar të zv/kryeministrave, të kryeministrit, këshilltareve të kryeministrit, deputetëve të LVV-së ministrave e kështu me radhë. Degradim më të madh qe dy dekada prej themelimit të këtij institucioni nuk ka pasur asnjëherë”, tha Tahiri.

Sipas tij sot ishte kulmi në përzgjedhjen e Auditorit.

“Një prej institucioneve më të rëndësishme në krye të Zyrës së Auditorit Gjeneral vendoset që të jetë motra e këshilltarit të kryeministrit të Kosovës. Nga sot raportet e auditorit do të shkruhen nga zyra e Albin Kurtit. Kjo është fatkeqësi shumë e madhe”, tha Tahiri.

Tahiri gjithashtu tha se vendi ka nevojë për një Ministri të Shëndetësisë më efikase në luftë me variantin e ri të virusit COVID-19.

“Nuk po shohim plan konkret të MAShTI, se si do të filloj viti i ri akademik nga 1 shtatori nëse vendi ynë do të mbyllet… I bëjmë thirrje qeverisë mos të pushoj dhe të ketë një angazhim më efektiv në mbrojtje të qytetarëve të Kosovës në mbështetje të ekonomisë sonë dhe të arsimit në këtë periudhë të rëndë të pandemisë”, tha ai.

Tahiri gjithashtu e përmendi edhe fushën e drejtësisë.

“Unë nuk besoj që kjo qeveri është e interesuar për fuqizim të sundimit të ligjit. Unë mendoj se kjo qeveri e ka dëshmuar që tash e tutje që krejt çka është e interesuar të bëjë është degradimi edhe më tutje të institucioneve tona të pavarura në vend”, shtoi Tahiri.

Sa i përket Vettingut Tahiri tha se duhet të bëhet një debat shumë më i thellë para se të shkohet deri te ndryshimet kushtetuese.

“Vettingu është një prej ndërmarrjeve më të mëdha që mundet me ekzistu në një vend sepse arrin me i lëviz komplet njerëzit e sistemit dhe ne nuk po shohim asnjë pikë serioziteti sa i përket realizimit të kësaj nisme. Kemi besu që janë më të përgatitur dhe që kanë ekspert që do t’u ndihmojnë në këtë fushë dhe kemi besu që do të kenë angazhim më të madh me partnerët tanë strategjik”, përfundoi ai.