Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku: Statuti i Asociacionit u pranua një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku gjatë fjalës së tij në Kuvend ka thënë se çuditërisht Statuti i Asociacionit, vjen siç tha ai një kohë të çuditshme.

Abdixhiku ka thënë se pas sulmit në Bansjkë, pritjet ishin që beteja kundër terrorizmit do të shfrytëzohej në përballje diplomatike.

“Përkundër refuzimit të vazhdueshëm nga atëherë se ky pranim po ndodhte, Statuti i Asociacion na vjen çuditërisht një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë. Them çuditërisht, sepse, mu atëherë kur pritjet tona ishin që beteja kundër terrorizmit do të shfrytëzohej në përballje diplomatike, ne jo vetëm që mbetëm me sanksione, jo vetëm se Serbia nuk u sanksionua për organizimin dhe mbështetjen terroriste; porse ne, së bashku me ta, pranuam Statutin e Asociacionit. Dhe ende jemi në sanksione. Debakël më të rëndë diplomatik nuk mund të kesh” – ka deklaruar Abdixhiku gjatë seancës së sotme.

Abdixhiku tutje ka kërkuar që ta shohin dokumentin e draft statutit të Asociacionit.

“Kryeministri në emër të popullit të Kosovës definon statusin e Asociacionit, për të cilin vazhdojmë të jemi në terr. Si LDK kemi kërkuar qasje në këtë dokument. Së këndejmi kjo seancë po humbet kuptimin përmbajtjesor”- ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë plenare ku në rend të ditës është raportimi i kryeministrit Kurti për procesin e dialogut Kosovë – Serbi pas zhvillimeve të javës së kaluar.